Të shtëna me armë zjarri u raportuan mbrëmjen e së dielës nga një jaht që lundronte në zonën e Palasës, duke vënë në lëvizje forcat e Policisë.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e policisë nisën një operacion nga deti dhe toka, i cili zgjati rreth dy orë. Gjatë ndjekjes, mësohet se jahti tentoi t’i largohej policisë duke ndryshuar kurs dhe, në një moment, duke fikur edhe dritat. Megjithatë, mjeti lundrues u ndalua.
Sipas Policisë së Shtetit, në bord ndodheshin katër persona: Bruno Çela, Leonard Hasa, Afrim Kastrati dhe Pashk Gjini, të cilët u shoqëruan për verifikime.
Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije se gjatë kontrollit në jaht dhe ndaj personave nuk u gjet asnjë send apo mjet i kundërligjshëm, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Burime bëjnë me dije se në jaht ndodheshin edhe emra të njohur të botës së biznesit. Mes tyre përmendet edhe Pashk Gjini, i njohur në opinion edhe me nofkën “El Chapo shqiptar”. Anton Gjinaj, i njohur edhe si Pashk Gjini ose Pashk Rrapi, është një biznesmen, emri i të cilit është përmendur ndër vite në hetime që lidhen me trafik droge dhe çështje të tjera kriminale, pa pasur një qëndrim të ri zyrtar lidhur me këtë ngjarje.
Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi, pronari i kompanisë së ndërtimit “Alesio-2014” dhe investitor në dhjetëra pallate në Tiranë dhe infrastrukturë publike u lirua nga burgu i Rrogozhinës në dhjetor 2022.
Ndërkohë, gjatë mbrëmjes policia shoqëroi edhe dy persona të tjerë: Astrit Gjonpalajn, pronar i “Globus Travel”, dhe Astrit Metën, shtetas shqiptaro-amerikan.
Megjithatë, sipas burimeve, të dy janë lënë të lirë, pasi nga verifikimet nuk ka rezultuar ndonjë lidhje e tyre me ngjarjen.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në bordin e jahtit gjatë mbrëmjes së së dielës në Palasë.







