Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas arrestimit në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Beqiri dyshohet se zotëronte disa pasuri në Francë, përfshirë një kështjellë luksoze, apartamente, llogari bankare dhe një avion privat.
Në reagimin e tij, Fevziu u shpreh se fokusi kryesor nuk duhet të jetë te pasuritë e tij luksoze, por te fakti se si një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka mundur të jetojë për një periudhë të gjatë i lirë në një vend europian, pavarësisht statusit të tij ligjor.
“Çudia më e madhe nuk është as kështjella dhe as avioni. Problemi kryesor është se si një person në kërkim ndërkombëtar, me një njoftim të kuq, konsideruar një nga personat më të rrezikshëm, mund të ishte pronar i pasurive të mëdha, llogarive bankare dhe një avioni privat, pa u identifikuar nga autoritetet”, u shpreh gazetari.
Fevziu solli në vëmendje edhe vlerën e kontratave që kompania e Beqirit dyshohet se ka përfituar nga shteti përmes tenderave të AKSHI-t, duke ironizuar se me shifra të tilla ai mund të blinte edhe ndërtesa simbolike si Pallati Elysee.
Sipas tij, pyetja kryesore lidhet me funksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nuk mund të jetojë i qetë në prona të regjistruara në emrin e tij. Ose ka qenë nën vëzhgim nga autoritetet për shkak të hetimeve, ose kemi një dështim të sistemit të sigurisë”, deklaroi Fevziu.
Gazetari theksoi se rasti ngre pikëpyetje më të mëdha për mënyrën se si persona të kërkuar për çështje të rënda mund të qëndrojnë në vende europiane pa u ndaluar.
“Pyetja më e madhe është se çfarë po ndodh me persona të tillë që jetojnë në mes të Europës, ndërkohë që kërkohen për afera të tilla”, përfundoi Fevziu.







