Ballina Politika Eurodeputetja Salis nga PE: Në Shqipëri po protestojnë kundër një qeverie që...

Eurodeputetja Salis nga PE: Në Shqipëri po protestojnë kundër një qeverie që nuk mbron interesat e popullit!

79
0

Eurodeputetja Ilaria Salis nga Grupi i së Majtës europiane, e cila ka depozituar në Parlamentin Europian amendamentet që lidhen me çështjen e Zvërnecit, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk po mbron interesat e popullit.

Gjatë fjalës së saj në Parlamentin Europian, eurodeputetja ka përshëndetur protestuesit, që sipas saj kanë dalë në shesh për të protestuar kundër një qeverie që nuk po mbron interesat e popullit.

Duke theksuar se protestat në Shqipëri janë një betejë për sovranitetin popullor, ajo ka bërë thirrje që Zvërneci të mos u shitet ‘spekulatorëve Trump-it dhe Kushner-it’.

Më tej ajo i bëri thirrje Bashkimit Europian që të vëzhgojë me kujdes atë që po ndodh në Shqipëri.

“Shqipëria është vërtet një model për Europën këtë javë. Shumë njerëz kanë dalë në shesh për të protestuar kundër një qeverie që nuk po mbron interesat e popullit.

Shqipëria nuk është në shitje. Nuk duhet t’u shitet spekulatorëve, Trump-it dhe Kushner-it, vetëm sepse ata mendojnë se mund të blejnë gjithçka: tokën, natyrën dhe demokracinë.

Ajo që po shohim nuk është thjesht një lëvizje; është një betejë për sovranitetin popullor. Është një popull që po rimerr të drejtat e tij përballë logjikës dominuese ekonomike të kësaj axhende.

Mendoj se Europa duhet ta vëzhgojë me shumë kujdes atë që po ndodh në Shqipëri, sepse kjo është diçka e rëndësishme për Bashkimin Europian. Ky është një popull i gjallë, i aftë të mobilizohet për drejtësi dhe liri”, ka thënë mes të tjerash eurodeputetja Salis.