Ballina Kosovë Kurti konfirmon vullnetin për bashkëpunim me LDK-në

Kurti konfirmon vullnetin për bashkëpunim me LDK-në

63
0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit rreth treorësh që zhvilloi të martën në mbrëmje me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Duke folur pas takimit, Kurti tha se, po të ishte arritur një marrëveshje, kjo do të ishte lajmi kryesor. Sipas tij, gjatë bisedimeve janë shqyrtuar qasje dhe mundësi të ndryshme për bashkëpunim, por ende nuk ka dakordim politik.

“Kemi nevojë për një marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor. Ajo nuk duhet ta zëvendësojë rezultatin, por ta shndërrojë atë në kontribut për stabilitet institucional”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se asnjëra palë nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, por paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt një skenari të tillë.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk do të kemi marrëveshje dhe hapa përpara, përkundër mosdëshirës për zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”, tha ai.

Kurti ritheksoi se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e interesuar dhe e gatshme për bashkëpunim me LDK-në, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për progres më të shpejtë.

Sa i përket çështjes së presidentit, ai përsëriti qëndrimin se posti i kreut të shtetit nuk duhet të jetë pjesë e marrëveshjeve për pushtet politik, por të përfaqësojë unitetin e Republikës.

“Pozita e presidentit nuk do të duhej të ishte pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Të shohim çfarë do të sjellë komunikimi i ardhshëm. Emri konkret duhet të jetë konsensual dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Kurti.