Ballina Aktualitet Dhoma Amerikane: Ekonomia shqiptare po humbet miliarda nga nënfinancimi i shëndetësisë

Dhoma Amerikane: Ekonomia shqiptare po humbet miliarda nga nënfinancimi i shëndetësisë

78
0

Mijëra shqiptarë janë duke humbur jetën në mënyrë të parakoheshme për shkak të shpenzimeve të ulëta që qeveria bën për shëndetësinë. Ky është përfundimi i një raporti të hartuar nga ekspertë të huaj për llogari të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Por drama e vdekjeve të parakohshme është vetëm gjysma e faturës fatale që Shqipëria është duke paguar për shkak të nënfinancimit kokëfortë të shëndetësisë. Gjysma tjetër vjen nga humbjet e mëdha ekonomike, të cilat shfaqen në formën e prodhimit të munguar për shkak se barra e sëmundjeve përkeqëson shëndetin e fuqisë punëtore, ul produktivitetin si dhe frenon inovacionin.

Vitin e kaluar qeveria shqiptare shpenzoi përmes buxhetit publik të shëndetësisë mesatarisht 330 euro për banor. Kjo shifër është 5 herë më e ulët se sa vendet e ngjashme të rajonit dhe 10 herë më pak se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Shpenzimet publike shendetesore per fryme

Hendeku është i jashtëzakonshëm. Por ashtu janë edhe përfitimet nga mbyllja e tij.

Sipas raportit, nëse qeveria e Shqipërisë do të rriste fondet publike për rimbursimin e ilaçeve, aksesin në terapitë inivative si dhe programet e ekzaminimit dhe detektimit në kohë të sëmundjeve kryesore, në nivele të ngjashme me vendet e rajonit, atëherë ekonomia do të gjeneronte mbi 560 milionë euro prodhim shtesë në vit.

Eksperët hartues i sugjerojnë qeverisë, që të nisë një program gradual për të rritur fondet publike të shëndetësisë në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.9 për qind që është niveli aktual.

Buxheti pulik i shendetesise ndaj PBB

Kjo do të kërkonte 457 milionë euro shtesë financime publike për shëndetësinë, nga të cilat 287 milionë euro për rritjen e rimbursimeve, terapitë bashkëkohore dhe programet e parandalimit, ndërsa pjesa tjetër për shërbimin parësor, mbështetjen e bluzave të bardha, mirëmbajtjen dhe investimet dixhitale.

Por kjo nuk është një kosto buxhetore, por investim. Sipas raportit, këto para do të kthehen shumëfish përmes efektit pozitiv në zgjerimin e rritjes ekonomike.

OBSH thekson se vendet që kanë shpenzimet publike për shëndetësinë poshtë nivelit 3 për qind të Prodhimit Kombëtar janë ato, të cilat përfitojnë dhe dividentin më të madh nga rritja e financimeve të këtij sektori. Por ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për të rritur fondet pasi kostot e mosveprimit janë shumë të mëdha, qeveria shqiptare duket se ecën në krahun e kundërt.

Pjese nga raporti

Shpenzimet publike për shëndetësinë pritet të ulen në raport me Prodhimin Kombëtar sipas parashikimeve në programin buxhetor afatmesëm. Kjo është një politikë vetshkatërruese, ndërkohë që paratë e buxhetit devijohen në projekte korruptive me impakt të dyshimtë ekonomik./kapital