Ballina Dossier “Na kanë hequr edhe radion, librat e ushqimet”: Letra tronditëse e Ruzhdi...

“Na kanë hequr edhe radion, librat e ushqimet”: Letra tronditëse e Ruzhdi Bajrit nga Burgu i Burrelit që paralajmëron grevën e të burgosurve

57
0

Më 21 qershor 1972, nga Burgu i Burrelit, i burgosuri politik Ruzhdi Bajri i drejtoi një letër Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës Popullore të Shqipërisë. Dokumenti është një dëshmi e drejtpërdrejtë mbi dhunën, poshtërimin dhe privimet sistematike që, sipas tij, ushtronin organet drejtuese të burgut ndaj të dënuarve politikë.

Që në rreshtat e parë, Bajri akuzon komandën e repartit 321, Degën e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë e rrethit Burrel se ishin në dijeni të ngjarjeve dhe, sipas tij, toleronin ose ndihmonin në mënyrë të tërthortë persona që “masakronin me mënyrat më mizore” të burgosurit më të ndershëm. Ai shkruan se të dënuarit ishin dënuar me heqje lirie dhe jo me heqje të dinjitetit apo me vdekje.

Në letër përshkruhet një klimë e vazhdueshme frike, ku, sipas autorit, jeta e të burgosurve nuk ishte e sigurt dhe çdo ankesë binte në vesh të shurdhër. Bajri pretendon se, ndonëse burgu ishte i rrethuar me masa të forta sigurie, autoritetet justifikonin dhunën duke ia atribuar të burgosurve, ndërsa ai këmbëngul se pas saj qëndronin vetë organet drejtuese.

Një pjesë e rëndësishme e letrës ndalet te kufizimet e reja të vendosura ndaj të burgosurve. Sipas Bajrit, atyre u ishte ndaluar të dëgjonin radion, të merrnin libra nga biblioteka dhe madje edhe të konsumonin ushqimet që ua sillnin familjarët gjatë takimeve. Ai citon edhe kërcënimin që, sipas tij, u bëhej nga komanda: “Do t’ju çojmë te Ademi dhe Dhori me shokët e tyre”, një referencë që tregon atmosferën e terrorit që mbizotëronte në burg.

Përballë kësaj gjendjeje, Bajri njofton Prokurorinë se të burgosurit kishin hyrë në grevë urie, duke e konsideruar atë si mjetin e fundit për të kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore. Në fund të letrës ai shkruan se greva do të vazhdonte deri në mbërritjen e përfaqësuesve të Prokurorisë dhe kërkon që pretendimet e tyre të dëgjohen.

Kjo letër mbetet një nga dokumentet më domethënëse të arkivave të diktaturës komuniste. Ajo nuk rrëfen vetëm vuajtjet e një të burgosuri, por dëshmon se në Burrel, përveç izolimit, të dënuarit përballeshin edhe me kufizime të vazhdueshme të të drejtave elementare dhe ndiheshin të detyruar të përdornin grevën e urisë për të bërë të dëgjohej zëri i tyre./vna