Ballina Aktualitet Protesta e pestë në Divjakë kundër shkrirjes së bashkisë: Nuk ndalemi pa...

Protesta e pestë në Divjakë kundër shkrirjes së bashkisë: Nuk ndalemi pa u tërhequr reforma

50
0

Banorët e Divjakës kanë zhvilluar mbrëmjen e së martës protestën e pestë kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë dhe bashkimin e saj me Bashkinë Lushnjë.

Protesta u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit, ku edhe pse numri i pjesëmarrësve ishte më i ulët krahasuar me tubimet e mëparshme, qytetarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimit territorial.

Largimi i shërbimeve publike, vështirësitë ekonomike dhe pasojat sociale ishin ndër argumentet kryesore të ngritura nga protestuesit, të cilët kërkuan që institucionet dhe shërbimet të vijojnë të jenë pranë banorëve të Divjakës.

“Duhet që shërbimet t’i marrim këtu, që çdo gjë ta kemi këtu. Sepse po u largua kjo, çdo gjë do të na vështirësohet. Dhe baballarët tanë e kanë provuar këtë gjë”, u shpreh një prej protestuesve.

Një tjetër qytetar i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Divjakë që të angazhohet më shumë kundër reformës territoriale dhe të mobilizojë më shumë banorë për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë.

Protestuesit kërkuar gjithashtu pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve në tubimet e ardhshme, si dhe angazhim maksimal nga punonjësit e administratës vendore.

Banorët deklaruan se protesta do të vijojë deri në një vendim nga qeveria për anulimin e projektit të reformës territoriale që prek Bashkinë Divjakë.

Në përfundim të tubimit, protestuesit zhvilluan një marshim në rrugët e qytetit, duke bërë thirrje për përfshirjen e më shumë qytetarëve në këtë kauzë.