Mjeshtri i fyellit dhe instrumenteve tradicionale, Vendim Kapaj, ka bërë një deklaratë surprizë lidhur me prapaskenat e përfshirjes së tij në kolonën zanore të filmit The Odyssey të Christopher Nolan.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Kapaj pretendon se ka qenë këngëtarja dhe aktorja amerikane Jennifer Lopez ajo që i ka rekomanduar regjisorit Christopher Nolan bashkëpunimin me artistët shqiptarë.
Sipas Kapajt, i gjithë procesi është mbajtur sekret deri në publikimin e filmit. Ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën se si është bërë rekomandimi apo rrethanat e këtij kontakti. Kapaj u bë pjesë e produksionit hollivudian duke regjistruar tingujt e fyellit dhe culës dyjare, si dhe elemente të iso-polifonisë shqiptare për kolonën zanore të filmit, në bashkëpunim me kompozitorin fitues të Oscar-it, Ludwig Göransson. Ky bashkëpunim është konfirmuar edhe nga raportimet e mëparshme të mediave.







