Tre shtetas nga Kosova kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku të ndodhur në Gjermani, ndërsa po udhëtonin drejt vendit ku jetonin.
Viktimat janë identifikuar si Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, dhe nipi Laurent Aliu, 16 vjeç, nga Komogllava e Ferizajt.
Sipas mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur të enjten në mëngjes në autostradën A3, pranë Nittendorfit, në rrethin e Regensburgut.
Automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta, ka rrëshqitur poshtë një argjinature dhe ka përfunduar mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë.
Tre personat që ndodheshin në automjet kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Operacioni i shpëtimit ka qenë i vështirë, pasi viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda makinës dhe për nxjerrjen e saj është dashur ndërhyrja e një vinçi.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit të rëndë.
Nderkohe ne Kosove, Lagjja Nuhaj në Komogllavë të Ferizajt është mbuluar nga zija pas një aksidenti tragjik, ku humbën jetën tre anëtarë të së njëjtës familje.
Banorët e lagjes kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e rëndë, duke thënë se kjo ngjarje ka lënë zemrat e tyre të thyera.
“Lagjja jonë Nuhaj është mbuluar nga dhimbja. Humbja tragjike e tre anëtarëve të një familjeje në një aksident ka lënë zemrat tona të thyera. Nuk ka fjalë që e lehtësojnë këtë dhimbje”, thuhet në postimin e një bashkëfshatari të viktimave.
Ata kanë shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerëve, duke lutur që Zoti t’i mëshirojë dhe t’u japë forcë familjarëve për ta përballuar këtë pikëllim.
“Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mall. U prehshin në paqe”, thuhet më tej në mesazh.







