Ballina Europë Propagandë xhihadiste/ Arrestohet 16-vjeçari, iu gjetën materiale ekstremiste në telefon dhe kompjuter

Propagandë xhihadiste/ Arrestohet 16-vjeçari, iu gjetën materiale ekstremiste në telefon dhe kompjuter

85
0

Një 16-vjeçar me shtetësi italiane është arrestuar në provincën e Grossetos, pasi dyshohet se ka përhapur propagandë xhihadiste dhe materiale mbështetëse për organizatën terroriste ISIS.

I mituri, me origjinë të huaj dhe banim në provincën e Komos, po kalonte pushimet me familjen e tij kur u ndalua nga autoritetet italiane. Ai po hetohet për akuzat e “pjesëmarrjes në një organizatë terroriste ndërkombëtare” dhe “propagandës e nxitjes së krimeve të motivuara nga diskriminimi racor, etnik dhe fetar”, shkruajnë mediat.

Hetimi nisi pas një raportimi të Agjencisë Italiane të Inteligjencës dhe Sigurisë (AISI), lidhur me një përdorues interneti që shpërndante përmbajtje propagandistike pro-ISIS përmes platformave të komunikimit online.

Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet, profilet e dyshimta u lidhën me 16-vjeçarin, i cili deri atëherë nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte shfaqur sjellje të dyshimta apo radikale.

Gjatë hetimeve u zbulua se i riu përdorte shpesh VPN dhe mjete të tjera për fshehjen e aktivitetit online, përmes të cilave kishte aksesuar edhe faqe të njohura të propagandës së ISIS.

Kontrolli i autorizuar nga autoritetet gjyqësore dhe i kryer nga Njësia e Operacioneve Speciale (DIGOS) e Milanos zbuloi një sasi të madhe materialesh dixhitale të lidhura me organizatën terroriste.

Sipas hetuesve, në pajisjet e tij u gjetën dokumente, video dhe imazhe propagandistike që lidhen me ISIS, përfshirë materiale të ekzekutimeve, trajnimeve, këngëve propagandistike dhe përmbajtje ekstremiste me ideologji supremaciste dhe neonaziste.

Gjithashtu, autoritetet zbuluan biseda ku i mituri shprehte mbështetje për ISIS dhe pretendonte se kishte kontribuar më herët në krijimin e materialeve propagandistike për organizatën.

Një nga elementët më shqetësues të hetimit ishte zbulimi i një videoje në gjuhën ruse, e cila përmbante simbolikën e Shtetit Islamik dhe tregonte prodhimin e një pajisjeje shpërthyese artizanale.

Prokuroria për të Mitur vlerësoi se provat e mbledhura tregojnë një proces të avancuar radikalizimi dhe kontakte me persona të lidhur me ISIS, duke kërkuar ndaj gjykatës marrjen e masave paraprake ndaj të riut.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin online të 16-vjeçarit dhe çdo lidhje të mundshme me rrjete ekstremiste.