Tensionet mes Italisë dhe Spanjës për çështjen e migracionit dhe kontrolleve kufitare vijojnë të thellohen. Qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni ka refuzuar kërkesën e Madridit për rikthimin e plotë të Marrëveshjes së Shengenit, duke deklaruar se nuk pranon “imponime apo ultimatume” nga vende të tjera.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria italiane thekson se nuk ka ndërmend të ndryshojë vendimin për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të Marrëveshjes së Shengenit për shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në Itali nga Spanja, të paktën deri më 15 gusht.
Sipas Romës, masat do të mbeten në fuqi derisa të përjashtohen rreziqet që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare. Autoritetet italiane theksojnë gjithashtu se më 15 gusht pritet një valë e re emigrantësh në Ceuta, sipas njoftimeve të vetë autoriteteve spanjolle.
“Italia nuk pranon imponime ose ultimatume të huaja në lidhje me sigurinë kombëtare dhe kontrollin kufitar”, thuhet në deklaratën e qeverisë Meloni.
Roma sqaroi se vendimi nuk përbën një masë kundër Spanjës, duke kujtuar se në të kaluarën Italia ka vendosur kontrolle të ngjashme edhe ndaj Sllovenisë, ndërsa vende të tjera të Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë masa të ngjashme ndaj Italisë dhe Spanjës.
Qeveria italiane nënvizoi gjithashtu se qytetarët spanjollë, ashtu si të gjithë qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian, nuk preken nga këto kontrolle, të cilat zbatohen vetëm për shtetasit e vendeve të treta.
Më herët, qeveria spanjolle i kishte kërkuar zyrtarisht Italisë të rikthente zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Shengenit deri më 9 gusht, duke paralajmëruar se, në të kundërt, do të ndërmerrte masa për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e qytetarëve të saj.
Nga ana tjetër, Madridi ka theksuar se Italia mbetet vendi me numrin më të lartë të hyrjeve të parregullta të emigrantëve në vitet e fundit, me shifra që, sipas autoriteteve spanjolle, janë rreth dy herë më të larta se ato të Spanjës.







