Ballina Rajoni Infermierja sulmohet barbarisht në urgjencë/ Pacienti i shkul flokët dhe e përplas...

Infermierja sulmohet barbarisht në urgjencë/ Pacienti i shkul flokët dhe e përplas pas dere, rojet nuk ndërhynë

76
0

Një incident i rëndë dhune është regjistruar në orët e para të së shtunës, në Departamentin e Urgjencës së Spitalit “Kryqi i Kuq”, në Greqi, ku një pacient ka sulmuar fizikisht një infermiere. Ngjarja ndodhi teksa infermierja, e cila zakonisht punon në Njësinë e Kujdesit Intensiv, ishte transferuar për atë turn në Urgjencë.

Sipas denoncimit të presidentit të POEDIN, Michalis Giannakou, pacienti ndodhej në një barelë në ambientet e klinikës, ndërsa mjekët i kërkuan të priste, pasi përparësi kishin pacientët në gjendje të rëndë, jeta e të cilëve ishte në rrezik.

Kërkesa për të bërë durim dyshohet se zemëroi pacientin, i cili më pas u ngrit dhe sulmoi infermieren. Sipas Giannakou, pacienti i kapi flokët infermieres dhe ia shkuli, e goditi me grushte dhe më pas e përplasi me kokë pas derës.

“Ai u ngrit në këmbë, duke e vënë në shënjestër infermieren dhe u përpoq ta rrihte keq. E kapi për flokësh, të cilat i shkuli, e goditi me grushte dhe e goditi me kokë në derë”, deklaroi Giannakou. Presidenti i POEDIN ka ngritur gjithashtu akuza për mënyrën se si reaguan rojet e sigurisë që ndodheshin në vendngjarje.

Sipas tij, dy roje ishin të pranishëm dhe, pavarësisht kërkesave për ndërhyrje, nuk e ndihmuan infermieren, duke iu referuar rregullave që ndalojnë kontaktin fizik me pacientët.

“Pikërisht aty ishin dy roje të cilët, pavarësisht se u kërkuan, nuk ndihmuan sepse kontakti fizik me një pacient është i ndaluar. Kolegja po rrihej, ajo ishte në rrezik të vritej dhe rojet shikonin si spektatorë”, tha Giannakou.