Ka ndërruar jetë në Romë, në moshën 90-vjeçare, Massimiliano Cencelli, ish-funksionar i Demokristianëve italianë. Emri i tij lidhet me të famshmin “Manuali Cencelli”, një shprehje që prej dekadash është bërë pjesë e pandashme e gjuhës politike italiane.
Cencelli, funksionar i Demokracisë Kristiane gjatë viteve ’60, u bë i njohur për mënyrën e përllogaritjes së ndarjes së posteve politike dhe qeveritare mes partive dhe rrymave të ndryshme, në përpjesëtim me peshën që ato kishin. Në të vërtetë, “Manuali Cencelli” nuk ishte një manual zyrtar në kuptimin klasik të fjalës, por një shprehje e përdorur nga gazetaria për të përshkruar një praktikë politike të bazuar në ekuilibrat, përqindjet dhe peshën e forcave të ndryshme brenda një partie apo koalicioni.
Vetë Massimiliano Cencelli kishte treguar historinë e krijimit të këtij mekanizmi në një intervistë për gazetën “Avvenire” në vitin 2003. Ai kujtonte se në vitin 1967, në kongresin e Demokristianëve në Milano, Sarti, së bashku me Francesco Cossiga-n dhe Paolo Emilio Tavianin, krijuan rrymën e quajtur “pontieri”, pra “urëbërësit”, e cila synonte të shërbente si urë lidhëse mes shumicës dhe krahut të majtë të partisë.
Sipas Cencellit, kjo rrymë kishte marrë rreth 12 për qind të mbështetjes dhe pas Kongresit lindi nevoja për të vendosur se si do të ndaheshin postet në drejtimin e partisë. Pikërisht në atë moment ai propozoi një mënyrë të re llogaritjeje.
“Ne kemi 12 për qind. Ashtu si në një bord drejtues të një shoqërie, postet ndahen në bazë të aksioneve që zotërohen, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me postet e partisë dhe të qeverisë, në bazë të numrit të teserave”, kishte shpjeguar Cencelli.
Sarti i kërkoi që ta zhvillonte më tej idenë dhe kështu u konsolidua mënyra e ndarjes së posteve sipas peshës së secilës rrymë. Në atë periudhë, sipas rrëfimit të Cencellit, Emilio Taviani mbajti Ministrinë e Brendshme, Gaspari mori postin e nënsekretarit në Ministrinë e Postave, Francesco Cossiga u vendos në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa Sarti mori përgjegjësinë për Turizmin dhe Spektaklin.
Me kalimin e kohës, kjo mënyrë e ndarjes së posteve u shndërrua në një fenomen politik dhe mediatik. Emri i Cencellit u bë i njohur për publikun e gjerë sidomos gjatë krizave të qeverive, kur gazetarët kërkonin të merrnin vesh paraprakisht se si do të shpërndaheshin postet mes forcave politike.
Sarti, i cili njihej për humorin e tij, u përgjigjej shpesh gazetarëve që kërkonin parashikime për ndarjen e posteve me të njëjtën frazë: “Pyeteni Cencellin”.







