Nga Ylli Manjani
Është një situatë humori të veçantë kjo e jona. Një paradoks që vetëm Shqipëria di ta prodhojë kaq bukur.
Ne kemi vite që ikim në Itali. Për punë, për qejf, për halle shëndeti. Ikim atje dhe lëmë lesh në kantieret e ndërtimit, në restorante, në hotele, në bujqësi, në kujdesin për të moshuarit. Madje, kur sëmuremi, shkojmë edhe për të lënë lesh nëpër klinikat e spitaleve italiane. Lëmë lesh si në kuptimin financar ashtu edhe në kuptimit kimiko-mjekësor.
Ndërkohë, italianët kanë filluar të vijnë tek ne për të mbjellë lesh.
Dhe jo vetëm italianët.
Shqipëria prej vitesh është bërë një lloj supermarketi i turizmit mjekësor. Ne mbjellim flokë, rregullojmë dhëmbë, bëjmë ndërhyrje estetike. Klinikat private janë plot me të huaj që vijnë të marrin shërbime mjekësore më lirë, më shpejt dhe, në jo pak raste, me standard të kënaqshëm. Në rrugët e Tiranës sheh plot Italianë me kokë të fashuar postmbjellje.
Pra, nga njëra anë kemi një mjekësi që po i shërben gjithnjë e më shumë dynjasë.
Nga ana tjetër, shqiptari vazhdon të marrë avionin për të shkuar në Itali, Turqi, Greqi apo Gjermani kur puna bëhet serioze.
Këtu fillon paradoksi.
Sepse statistikisht nuk mund të thuash se mjekësia shqiptare ka dështuar. Përkundrazi. Nëse të huajt vijnë këtu të mbjellin flokët dhe të rregullojnë dhëmbët, do të thotë se kemi mjekë, klinika, pajisje, investime dhe një treg dhe shërbim që funksionon.
Pyetja është tjetër. Pse kemi mjekësi për flokët e italianit, por shqiptari shkon në Itali kur i duhet të trajtojë kancerin?
Pse dimë të mbjellim flokë, por jo gjithmonë të garantojmë trajtimin e sëmundjeve të rënda dhe jo vetëm?
Pse dimë t’i bëjmë një të huaji një buzëqeshje perfekte, ndërsa shqiptari duhet të zgërdhihet jashtë vendit për një trajtim që mund t’i shpëtojë jetën?
Sigurisht, kjo nuk është vetëm çështje mjekësh. Është çështje sistemi, investimesh, teknologjie, organizimi, financimi dhe prioritetesh.
Nejse, po të heqim pak seriozitetin në mendim, pamja nga jashtë është komike.
Ne shkojmë në Itali për të shpëtuar dhëmbët dhe jetën. Italianët vijnë në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët dhe flokët.
Ne atje lëmë lesh.
Ata këtu mbjellin lesh.
Bilanci tregëtar jek e jek…
Dhe kjo na vendos përballë një pyetjeje që është më shumë se një shaka.
Sepse nëse një sistem shëndetësor është aq i mirë sa të tërheqë pacientë të huaj, duhet të jetë në gjendje t’u japë të njëjtën siguri edhe pacientëve të vet.
Përndryshe kemi arritur një model të çuditshëm: mjekësi për eksport dhe shëndetësi për import.
Flokët i mbjellim këtu.
Dhëmbët i rregullojmë këtu.
Por kur puna bëhet për jetën, marrim rrugën për në Perëndim.
Dhe kështu, pas gjithë kësaj historie, nuk di nëse duhet ta quajmë sukses, dështim, turizëm mjekësor apo paradoks.
Shit e lër lesh.
Punë leshi dmth…







