Një aksident i rëndë është regjistruar gjatë natës në dalje të qytetit të Gjirokastrës, në aksin Gjirokastër–Kakavijë, në vendin e quajtur NSHN, ku janë përplasur një automjet tip “Audi” dhe një “Mercedes-Benz”.
Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur katër persona, dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë. Të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Të dy automjetet po lëviznin në drejtim të Gjirokastrës. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se aksidenti është shkaktuar gjatë një manovre të gabuar parakalimi nga drejtuesi i automjetit “Audi”.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar dinamikën dhe rrethanat e plota të aksidentit.







