Deri në qershor të vitit të kaluar, dy aksionerët e Aeroportit të Vlorës notonin në ujra të ngrohta me njëri tjetrin. Punimet për ndërtimin e Aeroportit vazhdonin me ritme të larta, ndërkohë që larg syve të publikut Behgjet Pacolli me Valon Ademin kishin bërë dhe planet se si do të ndanin fitimet nga investimi i tyre.
Nga viti 2002 deri në prill të vitit 2025, Pacolli dhe Ademi kishin nënshkruar tre dokumenta për shitjen e aksioneve të aeroportit.
E para, është kjo parakontratë e 20 qershorit të vitit 2022, sipas të cilës palët bien dakord që Mabco të shesë 40 për qind të aksioneve tek Aeroportit, të cilat sapo ja u kishte blerë turqve të YDA, tek shoqëria 2A Group e Valon Ademit.

Kjo parakontratë është nënshkruar nga Valon Lluka në cilësinë e administratorit të Mabcos dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Por zoti Lluka ishte autorizuar që të firmoste shitjen nga një vendim i asamblesë së Mabcos.
Ky në foton më poshtë është vendimi i mbledhjes së asamblesë së Mabcos i datës 2 maj 2022, ku miratohet shitja e 40 për qind e aksioneve nga Mabco tek 2A Group dhe autorizohet Valon Lluka të firmosë kontratën e shitjes. Dokumenti është firmosur nga Emin Pacolli.

Kjo parakontratë ka disa dispozita interesante. Së pari, 2A Group do ta paguante kontributin e saj për 42 për qind të aksioneve përmes punimeve ndërtimore. Së dyti, nëse projekti dilte me humbje Mabco do të përballonte 58 për qind të humbjeve, ndërsa 2A group 42 për qind të tyre dhe po kështu do të ndaheshin edhe fitimet.

Ndonëse kjo parakontratë nuk u noterizua asnjëhere, dy aksionerët kanë punuar sipas këtyre raporteve, madje edhe nënkontraktimet e kredisë janë ndarë në këto përqindje.
Një vit më vonë, tema e shitjes së aksioneve rikthehet sërish. Në korrik 2023, administratori i Mabcos, Valon LLuka i dërgon një sms Behgjet Pacollit ku e pyet nëse duhet të vazhdojë me proçedurën e shitjes së aksioneve, por këtë herë me një tjetër raport kuotash.
“Përshëndetje z Behgjet. Valon Ademi më thotë që jeni dakortësuar bashkë të bëjmë kontratën e shitblerjes së aksioneve në Aeroport ashtu siç ka qene marrëveshja në fillim (51 me 49). Po më thotë dy herë ndaj të shkrova për ta konfirmu,” i shkruan Valon Lluka Pacollit. Ky i fundit konfirmon duke u përgjigjur; OK.

Komunikimet mes Llukes dhe Pacollit
Pa u mbushur tre javë nga kjo bisedë, asambleja e Mabcos mblidhet sërish për të miratuar shitjen e aksioneve. Në mbledhjen e datës 20 korrik 2023, asambleja e Mabcos miraton shitjen e 47 për qind të kuotave tek 2A Group dhe autorizon sërish Valon Llukën të nënshkruajë transaksionin. Vendimi i asamblesë këtë herë, është firmosur personalisht nga Behgjet Pacolli.

Autorizimi per shitjen e kuotave me firmen e Pacollit
Mbi bazën e këtij vendimi të asamblesë së Mabcos në qershor të vitit 2024, firmoset marrëveshja e shitblerjes nga Valon Lluka dhe Valon Ademi. Por edhe kjo marrëveshje nuk u noterizua.

Dokumenti i tretë, ai që u zyrtarizua është kontrata e shitjes së aksioneve. Kjo kontratë u noterizua në datën 3 prill 2025 nga notere Valbona Selimi dhe u firmos sërish nga Valon LLuka si administrator i Mabco-s dhe Valon Ademi si administrator i 2A Group. Për firmën e Llukës u përdor sërish autorizimi i dhënë nga asambleja e Mabco-s në korrik të vitit 2023 me firmën e Behgjet Pacollit.

Kontrata noteriale per shitjen e aksioneve
Paratë e blerjes së aksioneve, shumën 4700 euro Valon Ademi ja kishte kaluar Mabcos që në korrik të vitit 2024. Edhe pas kësaj firmosje, sërish dy aksionerët vazhdonin në marrëdhënie normale me njëri tjetrin.
Madje një muaj pas noterizimit të shitjes së aksioneve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi ishin bashkë në fluturimin inaugurues së aeroportit në 8 maj të vitit 2025, kur në Aeroport shkoi kryeministri Edi Rama dhe ministrja e atëhershme Belinda Balluku.

Por me sa duket, kjo ishte qetësia para furtunës.
Shpërthimi
Në 26 gusht të vitit 2025, Edi Rama thirri në zyrën e tij Behgjet Pacollin. Në atë kohë Rama sapo kishte fituar mandatin e katërt dhe po merrej me formimin e qeverisë së re.
Fillimisht lajmi i Pacollit në zyrën e Ramës u shpërnda në media si një takim negociatash për qeverinë e re, madje duke aluduar se Rama i kishte propozuar Pacollit postin e ministrit të jashtëm.
Por dy ditë më vonë, Kapitali shpërtheu luftën e aksioneve. Behgjet Pacolli e përgënjeshtroi zyrtarisht shkrimin e Kapitalit, por ky përgënjeshtrim rezultoi gënjeshtra publike më jetëshkurtër në Shqipëri, kur vetëm pak orë pas publikimit të shkrimit Valon Ademi akuzoi publikisht Pacollin për mashtrim dhe influenca ruse.
Kjo ishte pika e shpërthimit. Menjëherë pas kësaj Behgjet Pacolli mohoi të gjitha kontratat e shitjes së aksioneve, duke deklaruar se firmën ja kishin marrë me mashtrim. Por sërish kjo ishte ajo që dukej në publik. Ndërkohë nën rrogoz, kishte zhvillime të tjera.
Delphos
Në 10 dhjetor të vitit 2024, në Luksemburg themelohet një fond investimesh i quajtur Delphos Securization Sarl. Tre muaj pas themelimit të tij, Delphos nënshkruan një marrëveshje të fshehtë kredie me Mabco-n e Pacollit.
Sipas marrëveshjes, fondi nga luksemburgu do të jepte një kredi prej 100 milionë eurosh për Mabcon, e cila do të përdorej për shlyerjen e kredisë 57 milionë euro që Vlora International Airport kishte marrë tek BKT dhe pjesa tjetër për përfundimin e ndërtimit të Aeroportit.
Por kredia ishte e strukturuar përmes një compartmenti brenda Delphosit i quajtur Delphos Compartment Bernina. Këto janë nënfonde brenda fondeve të investimeve, të cilat funksionojnë si ishuj të pavarur dhe ku huadhënësit janë sekretë. Dokumenti u publikua për herë të parë nga gazeta Tema.
Menjëherë pas publikimit Behgjet Pacolli mohoi akuzat për lidhje ruse, por mbi të gjitha mohoi kategorikisht që VIA të ishte pjesë e kredisë apo që Aeroporti i Vlorës të rrezikonte tjetërsimin, duke theksuar thuajse përditë në publik se kredia ishte marrë nga Mabco dhe ishte garantuar nga Mabco, ndaj VIA-a nuk kishte asnjë rrezik.
“Eshtë një marrëveshje e cila garantohet 100 për qind prej aseteve të Mabco-s,” deklaroi Pacolli në 6 nëntor të vitit të kaluar në emisionin Opinion. Kur Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndodh nëse Mabco nuk e shlyen kredinë e Delphos, Pacolli ishte edhe më i drejtëpërdrejtë.
Pacolli -Ajo është puna ime. A e kam garantuar këtë më mjetet e mia?
Fevziu– Jo me marrëveshjen e koncesionit?
Pacolli– Dëgjoni, absolutisht jo. Për arsye se do të ishte një idiot ai që të jep ty 100 milionë dhe shkon e merr peng një aeroport që nuk është i yti. Kjo është çmenduria e njerëzve të paditur.
Por, pjesë e marrëveshjes së kredisë mes Delphos dhe Mabco-s, ishte dhe një nen, saktësisht 23.1, i cili detyronte Mabcon që të fuste VIA-n, pra shoqërinë koncesionare të aeroportit, si huamarrës shtesë përmes firmosjes së një letre aksesimi.

Pasi shpërtheu konflikti mes aksionerëve, marrëveshja e kredisë mes Delphos dhe Mabco u amendua sërish në gusht të vitit të kaluar, ku Fondi nga Luksmeburgu kërkonte me insistim futjen e VIA-s si huamarrës shtesë, dhe ku Mabco merrte përsipër që ta bënte këtë, pavarësisht kundërshtimit nga aksioneri i pakicës, pra Valon Ademi.

A ishte kredia me Delphos, arsyeja se pse Pacolli kundërshtoi fuqishëm shitjen e aksioneve tek 2A Group? Ky mbetet një mister i madh.
Lufta për një firmë
Që VIA të bëhej pjesë e marrëveshjes së kredisë, administratori i saj duhet të firmoste të ashtuquajturën Letrën e Hyrjes (Açession Letter). Por administratori i VIA-së, Valon Lluka, ai që kishte qenë krahu i djathtë i Behgjet Pacollit për më shumë se 20 vjet, e refuzoi firmosjen për ta futur VIA-n si huamarrës shtesë.
Kapitali publikoi edhe emailin ku Lluka paralajmëronte Pacollët se kjo ishte një kredi e rrezikshme dhe binte ndesh me ligjin për konçesionet.

Emaili i Valon Llukes per Emin Pacollin
Pas kësaj përplasje Pacolli e shkarkoi Llukën duke e akuzuar atë për tradhëti dhe komplot me Valon Ademin. Ai emëroi si administrator të VIA-s, Mentor Hajdarin. Por edhe ky nuk e firmosi letrën e hyrjes dhe u largua dy muaj pas marrjes së detyrës.
Më vonë përplasja mes dy aksionerëve hyri në proçeset ligjore dhe gjykata ngrin votat e Mabcos në shoqërinë koncessionare duke ja dhënë administrimin e aeroportit, aksionerit të pakicës Valon Ademi për më shumë se 6 muaj, deri në vendimin e gjykatës së lartë, që zhbllokoi votën e Mabco-s.
Çfarë rrezikonte Aeroporti?
Kontrata e kredisë mes Delphos dhe Mabcos është dakortësuar të qeveriset sipas ligjit anglez. Por çfarë parashikon legjislacioni britanik për huamarrësin shtesë. Menjëherë pas nënshkrimit të Letrës së Hyrjes, humarrësi shtesë bëhet përgjegjës solidar për 100 për qind të kredisë.
Më pas legjislacioni britanik aplikon parimin e përgjegjësisë së përbashkët. Kjo do të thotë se nëse huamarrësi origjinal nuk e shlyen detyrimin, atëherë ai që ka dhënë borxhin ka të drejtë ta ekzekutojë atë nga huamarrësi shtesë.

Parimi i pergjegjesise se perbashket, ligji anglez
Madje, ky i fundit bëhet përgjegjës për ripagimin e plotë të shumës, pavarësisht nëse paratë janë përdorur nga huamarrësi origjinal apo nga ai shtesë.
Me pak fjalë, në një skenar hipotetik ku Mabco merr paratë nga Delphos dhe i shpenzon ato jashtë projektit të Aeroportit, nëse nuk e shlyen kredinë atëherë Delphos do të merrte paratë nga Aeroporti.
Përtej përgjegjësisë solidare, rreziku tjetër është ai i transferimit të së drejtës në duar të tjera. Compartment-et nuk janë banka.
Ato janë struktura financiare, të cilat mund të shiten dhe ndërrojnë duar sa herë të duan. Në këtë rast nëse Compartment Bernina do ta shiste kredinë e Aeroportit tek të tjerë, qeveria shqiptare nuk do të kishte asnjë mundësi të ndalonte një gjë të tillë.
Këto rreziqe kanë qenë arsyeja e shumë debateve mes Mabco-s, ministrisë së Energjisë dhe Avokaturës së Shtetit. Autoritetet shqiptare dyshojnë se Mabco mund të ketë të tjera marrëveshje sekrete me Delphos, sic dëshmohet nga kjo letër e ministrit të Infrastrukturës drejtuar kompanisë së Pacollit. Por kompania i mohon ato.

Dyshimet e MIE-s
Por rreziku që Aeroporti i Vlorës së bëhet pjesë e kredisë së Delphos, tashmë është shmangur përfundimisht. Dy administratorët e Pacollit nuk e firmosën Letrën e Hyrjes. Më vonë, në lojë hynë gjykatat, të cilat ngrinë votën e Mabcos dhe së fundmi qeveria, e cila njoftoi prishjen e kontratës së konçesionit.
Nuk dihet se çfarë ndodh aktualisht mes Mabco-s dhe Delphos. Një pjesë e fondeve të kredisë u disbursuan në llogarinë e Mabcos në Zvicër dhe gusht të vitit të kaluar u transferuan në degën e Mabcos në Prishtinë. Tashmë që VIA nuk hyri në marrëveshjen e kredisë, Mabco gjendet përpara dy rrugëve. Ose të kthejë lekët mbrapsht ose të zgjidhë me marrëveshje të re marrëdhëniet me Delphos.
Por ky është problemi i Mabcos. Në Shqipëri, problemi është një tjetër. Kompania në qendër të këtyre intrigave financiare tashmë është duke kërcënuar Shqipërinë me arbitrazh. Sipas Mabcos, qeveria shqiptare u bë palë me Valon Ademin në konflikt dhe i hoqi të drejtën të përfundonte projektin duke e shpronësuar.
Arbitrazhi
Nga tetori i vitit të kaluar Behgjet Pacolli, ësjhtë ankuar publikisht në mënyrë sistematike se ndaj tij po bëhet një padrejtësi e madhe. Fillimisht në qendër të akuzave ishin gjykatat, të cilat bllokuan votën e Mabcos dhe e nxorrën atë jashtë administrimit të VIA-s.
Më pas, Pacolli filloi të sulmonte qeverinë, e cila sipas tij, po bëhej palë me aksionerin e pakicës. Ky është argumenti që Mabco me sa duket do të përdorë në arbitrazhin e mundshëm me Shqipërinë. Por qeveria ka një version tjetër. Sipas saj, institucionet kanë ruajtur një rol neutral në sherrin mes dy aksionerëve duke respektuar vendimet e gjykatave.
Ndërsa, sipas shkresës zyrtare të MIE, vendimi për të prishur konçesionin erdhi pas shkeljes së afateve, në përputhje me nenin 15.4d të kontratës së konçesionit.

Argumenti i MIE-s per prishjen e koncesionit
Edhe pse ky është një arbitrazh ku shteti shqiptar është qartazi në pozicion të avantazhuar, duhet që institucionet të bëjnë kujdes për të zbatuar të gjitha proçedurat që parashikon ligji për prishjen e kontratës.
Nuk ishte as shteti shqiptar as qeveria, ajo që bëri bashkë në ortakëri Pacollin me Ademin. Dy aksionerët hynë në marrëveshje me vullnetin e tyre të lirë.
Paralelisht qeveria nuk ka autorizuar asnjë kredi jashtë kredisë zyrtare me BKT-në, që është pjesë e marrëveshjes së konçesionit. Ndaj as përplasja për aksionet dhe as sherri për Delphos nuk janë pasojë e veprimeve të shtetit shqipar.
Ky është një arbitrazh që mund të humbet vetëm nëse qeveria do që ta humbasë duke mos ndjekur në mënyrë korrekte proçedurat ligjore. Por ai skenar do të ishte tradhëti dhe biznes i përbashkët./Kapital







