Ballina Aktualitet Me një këmbë te SPAK-u e me dy duart te thasi i...

Me një këmbë te SPAK-u e me dy duart te thasi i shtetit: Dritan Agolli i dhuron një tjetër supertender prej 8.8 mln euro të pandehurit Shkëlqim Fusha

73
0

Kur bëhet fjalë për hapjen e thasëve të shtetit për tenderat e mëdhenj, Fondi Shqiptar i Zhvillimit duket se e ka gjetur prej kohësh partnerin e tij të preferuar. Institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli vazhdon të mbushë me miliona euro të njëjtën kompani, duke e kthyer FSHZH-në në një nga burimet më të mëdha të financimit për firmën “Fusha” të biznesmenit Shkëlqim Fusha. Së fundmi, ky institucion i ka besuar kësaj kompanie një tjetër “supertender” me vlerë 833 milionë lekë, ose mbi 8.8 milionë euro, për rregullimin, përmirësimin estetik dhe zhvillimin e zonave tregtare e turistike përgjatë bregdetit të Durrësit. Projekti menaxhohet në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe Bashkinë e Durrësit, ndërsa puna duhet të dorëzohet brenda 18 muajve.

1111.PNG

Për këtë kontratë të madhe shfaqën interes 8 kompani, por skema e garës rrodhi sipas një zakoni tashmë të njohur. Në vend që të zgjidhej oferta më e mirë dhe më ekonomike për xhepat e qytetarëve, FSHZH-ja vendosi të skualifikojë 5 kompani nga gara dhe të shpallë fituese të zakonshmen “Fusha”, me një ofertë prej mbi 653 milionë lekësh.

333.PNG

Ajo që e bën të gjithë historinë akoma më skandaloze është se të pesta kompanitë që u nxorën jashtë garës kishin paraqitur oferta dukshëm më të ulëta se fituesi. Nëse Agolli do të donte t’i kursente miliona lekë buxhetit të shtetit, mundësitë i kishte mbi tavolinë:

Kompania “G.P.G. COMPANY” kërkoi 113.7 milionë lekë më pak se fituesi për ta bërë të njëjtën punë.

Bashkimi i operatorëve “ERGI” & “BE – IS” ofroi 87.4 milionë lekë më pak.

Bashkimi “PE – VLA – KU” dhe “BIBA-X” kërkoi 64.5 milionë lekë më pak.

Bashkimi “KUPA”, “NDREGJONI” dhe “STERKAJ” ofroi 57.8 milionë lekë më pak.

Subjekti “AGI KONS” kërkoi 21.5 milionë lekë më pak se kompania fituese.2222.PNG

Për t’i hequr qafe të gjitha këto oferta më të lira, Dritan Agolli me komisionin e tij përdorën të njëjtin pretekst për të gjithë, u kapën pas pikës 2.3.1 të Kritereve të Veçanta, duke pretenduar se asnjë nga këto pesë kompani nuk kishte “përvojë të suksesshme në punë të ngjashme”. Me një të rënë të lapsit mbi këtë kriter burokratik, miliona lekë që mund të kurseneshin u hodhën në kosh, vetëm që paratë të shkonin te klienti i zakonshëm.

Natyrisht, kjo nuk është një rastësi e izoluar. Kjo procedurë është thjesht dëshmia e radhës se kompania “Fusha” është e preferuara absolute e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, prej të cilit ka fituar dhjetëra tendera me vlerë dhjetëra miliona euro. Jo pa arsye, sipas të dhënave të Open Data Albania, kjo firmë vijon të qëndrojë e para në listë si kompania që ka përfituar më shumë fonde publike në të gjithë Shqipërinë gjatë 11 viteve të fundit.

Por ironia më e madhe e këtij supertenderi qëndron te faktet që vijnë nga dyert e drejtësisë. Sot që merr edhe 8.8 milionë euro të tjera nga shteti, emri i Shkëlqim Fushës është marë zyrtarisht i pandehur nga SPAK në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Bisnesmeni akuzohet për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet po zbardhin transaksione të fshehta financiare dhe kamuflim përfitimesh përmes OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.

Mirëpo, për Fondin Shqiptar të Zhvillimit të Dritan Agollit, hetimet e SPAK-ut për korrupsion me paratë publike nuk përbëjnë asnjë pengesë për t’i besuar kësaj firme një tjetër thes me para./VNA