Në vijim të protestës para Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj ka ngritur shqetësimin për bllokimin e autostradës para mbërritjes së diasporës, ndërsa ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për politikat e punësimit, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qëndrimin ndaj Kosovës e Evropës.
Xhemalaj ironizoi deklaratat e kryeministrit për hapjen e vendeve të punës për të rinjtë, duke u ndalur te mbërritja e bashkatdhetarëve nga jashtë vendit:
«Ky shtet, nesër që vjen diaspora, ka vendosur të bllokojë autostradën! Pse? A ka frikë nga vëllezërit tanë nga diaspora?!
Po lexoja se kryeministri kishte shpallur se janë hapur vende pune për të rinjtë sepse do të kapë rininë!
Rininë që del në këtë shesh! Në kuadër të kthesës së madhe të mandatit të katërt, thoshte! Katër mandate i duhen këtij për të hapur vende pune për të rinjtë që të mos ikin?!»
Aktivisti kritikoi ashpër reagimin e shtetit shqiptar ndaj zhvillimeve diplomatike dhe presionit serb, duke kërkuar reagim institucional për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare:
«Kemi një shtet kartoni që nuk arrin të mbrojë interesat kombëtare! Serbia ka disa kohë që po shton presionin ndaj Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.
Jo më larg se dy ditë më parë, në takimin me Zelenskyn ku ai deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë, çfarë bëri shteti ynë?
Ku e kemi shtetin? E kemi ndihmuar Ukrainën me çfarë kemi pasur, kemi zbrazur depot tona të armatimeve dhe Zelensky vjen e thotë Kosova është Serbi! Jo! Kosova është Shqipëri!
Dëgjojeni mirë! Në kuadër të interesave tona kombëtare e kemi urgjente bashkimin me Kosovën! Dhe me të gjitha territoret shqiptare. Vetëm në këtë kuadër mund të mbijetojmë sepse ne po shkrihemi si popull.
Populli ynë në 50-vjeçarin e ardhshëm nuk do të jemi më ne, nuk do të jenë këto fytyra, do të shikoni lloje-lloje kombësish dhe do të jemi të huaj në vendin tonë! Ndaj i bëj thirrje këtij shteti që të punojë për bashkim kombëtar!»







