Ballina Kosovë Kurti iu bën thirrje partive për takim: Të diskutojmë emrat për presidentin

Kurti iu bën thirrje partive për takim: Të diskutojmë emrat për presidentin

94
0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet edhe për emrat konkretë të kandidatëve për presidentin e ardhshëm, me qëllim që të arrihet një marrëveshje dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.

Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve.

Kurti bëri të ditur se mbrëmë u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin.

“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha ai.

Ai vlerësoi se në Kosovë ka “me dhjetëra” personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, që mund të konsiderohen për këtë post.