Këlliçi e cilësoi si një situatë skandaloze faktin që kryegjyqtari i vendit është shfaqur publikisht në një aktivitet me Ramën, duke ngritur pikëpyetje për paanshmërinë e Gjykatës së Lartë.
Deputeti demokrat tha se kjo marrëdhënie krijon shqetësim veçanërisht për qytetarët që mund të përballen në gjykatë me qeverinë apo zyrtarë të saj.
Këlliçi akuzoi gjithashtu Sadushin se me qëndrimet dhe vendimmarrjet e fundit po favorizon zyrtarët e lartë të përfshirë në hetime për korrupsion.
Reagimi:
Mega Skandal!!! Kryetari i Gjykatës së Lartë organizon festa private me Edi Ramën!
Në një festë të Labërisë, në fshatin Vajzë, ishte vetë Kryeministri që zbuloi një fakt të pabesueshëm. Ai ndodhej aty sepse e kishte ftuar Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Pra, kryegjyqtari i Shqipërisë, që shpesh herë e kemi parë në foto me shall të kuq pionieri, qenka organizator i këtij ahengu dhe kishte insistuar personalisht që Kryeministri të ishte i pranishëm. Sipas Ramës, Sadushi e kishte bezdisur për katër vite me radhë me ftesa dhe, më në fund, ai kishte vendosur të shkonte.
Kjo dëshmon një afërsi të pazakontë mes Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe kreut të qeverisë. Është në kufijtë e skandalit, edhe pse mes aferave të rënda të Edi Ramës kjo mund të duket paksa romantike.
Por a është kjo diçka që do të ndodhte në vende të tjera normale të Europës, ku duam të integrohemi?!
Imagjinoni të jeni palë në një proces gjyqësor përballë Edi Ramës apo qeverisë së tij në Gjykatën e Lartë, të drejtuar nga miku i tij, Sadushi. A do të kishim barazi para ligjit?!
Asnjëherë më parë një instancë kaq e lartë e gjyqësorit në vend nuk është shfaqur dhe asociuar kaq hapur me një mazhorancë dhe kreun e saj. Gjykata e Lartë, që duhet të jetë garante e paanësisë dhe simbol i pavarësisë së drejtësisë, ekspozohet kështu si e njëanshme dhe e varur kryekëput nga Kryeministri.
Çfarë mesazhi u përcjell kryegjyqtari i vendit gjyqtarëve dhe magjistratëve të tjerë me këtë sjellje, kur bëhet publike se ai, si organizator i festës, e ka ftuar për vite me radhë Kryeministrin të jetë në krye të tavolinës?!
Lidhjet dhe afeksioni i Sadushit me qeverinë janë të njohura.
Së fundmi, ai ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar praktikën gjyqësore dhe për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, në mënyrë që burgu të jetë masa e fundit që merret ndaj tyre.
Sadushi është tashmë zyrtarisht avokati më i madh i zyrtarëve e politikanëve, që kanë 13 vite që fusin çdo ditë e më shumë duart në xhepat e shqiptarëve.







