Historia e pasurisë së paluajtshme, truall plus ndërtesë vetëm 251 m2 gjithsej, që deputeti Agron Shehaj thotë se e ka shitur shtatorin e kaluar plot 15 milionë euro pasi e kishte blerë vetëm 2.9 milionë euro, tashmë ka përfunduar në SPAK. Një kallëzim është dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari investigativ Adriatik Doçi, i cili i bën një analizë të thelluar deklaratave të pasurisë nga ana e deputetit Shehaj nga vitit 2021-2025, ku vihen re mospërputhje të mëdha.
“Kjo është vila ime e plazhit në Itali që kam shitur 15 milionë euro…Tani habiten dhe thonë ore ku i gjeti ky gjithë këto para”, deklaronte Agron Shehaj në një video të pak ditëve më parë.
Dhe pikërish me më mënyrën se si është bërë me para kërkohet sqarim. Gjithçka nis me vilën në “Forte dei Marmi” në Itali, për të cilën Shehaj pretendon se i ka marrë një fitim 12.1 milionë euro në pak vite, pasi siç pretendon ai aty ka investuar 4 milionë euro dhe nga 251 metra katrorë e ka çuar në 500 metra katrorë. Dhe pikërisht në këto fakte të pretenduara nga Shehaj kërkohet një verifikim i thellë pasi nga deklaratat zyrtare të dorëzuara në institucionet e shtetit rezultojnë ndryshe.
“Nga vetë vijimësia e deklarimeve nuk rezulton as ndryshim i sipërfaqes nga 251 m² në rreth 500 m² dhe as pasqyrim i një investimi prej 4 milionë eurosh që të shpjegonte transformimin fizik dhe ekonomik të pronës. Nga materialet e paraqitura rezulton se pretendimi për investimin prej 4 milionë eurosh shfaqet si shpjegim publik i mëvonshëm dhe jo si fakt i individualizuar në deklaratat periodike të shqyrtuara. Edhe pretendimi se vila ishte rreth 500 m² duhet trajtuar me të njëjtën kujdes. Në të dyja deklaratat relevante, atë të vitit 2021 dhe atë të vitit 2025, pasuria figuron me sipërfaqe 251 m². Megjithatë, deklarimi publik për rreth 500 m², përballë deklarimit zyrtar të përsëritur prej 251 m², krijon një kundërthënie materiale që nuk mund të mbyllet me një shpjegim verbal, por kërkon marrjen e planimetrive, lejes së ndërtimit, certifikatës kadastrale dhe historikut të objektit”, thuhet në kallëzim.
Madje në kallëzim ngrihet dyshimi se shitja e vilës ka qenë totalisht fiktive dhe për këtë citohen dokumente italiane.
“Veçanërisht e rëndë është shitja e vilës për 15 milionë euro në shtator 2025 dhe regjistrimi i Agron Shehajt përsëri si pronar i saj në korrik 2026. Dokumenti italian tregon pronësi 1/1 mbi bazën e një akti shitblerjeje të datës 07.07.2026, të regjistruar pak ditë më pas. Një pasuri e deklaruar e shitur për 15 milionë euro i rikthehet shitësit më pak se dhjetë muaj më vonë”
Sipas gazetarit Doçi dokumentacioni kadastral italian tregon se vila ka sipërfaqe totale 459 metra katrorë, ndryshe nga sipërfaqja prej 251 metrash katrorë e pasqyruar në formularët e deklarimit.
“Dokumentacioni zyrtar kadastral italian provon se pasuria në Via Nizza nr. 35, Forte dei Marmi, e identifikuar me Foglio 17, Particella 415, Subalterno 4, ka sipërfaqe totale 459 m², ndërsa në deklaratat periodike është pasqyruar me sipërfaqe 251 m². I njëjti dokument provon se Agron Shehaj është bërë sërish pronar i pasurisë më 07.07.2026, ndonëse në vitin 2025 kishte deklaruar shitjen e saj për 15 milionë euro. Këto fakte krijojnë dyshimin e arsyeshëm se deklarimi i pasurisë mund të ketë qenë i rremë ose i paplotë dhe se transaksioni i shitjes dhe rikthimit të pronësisë mund të ketë shërbyer për krijimin artificial të të ardhurave, qarkullimin formal të fondeve ose legjitimimin e pasurisë me origjinë të paqartë. Për këtë arsye kërkohet regjistrimi i procedimit penal dhe hetimi i plotë i deklarimeve, kontratave, fondeve dhe personave të përfshirë”, vijon kallëzimi.
Nga ana tjetër Prokurorisë së Posaçme (SPAK) i kërkohet të verifikojë në tërësi të gjithë deklaratat e pasurisë nga ana e Agron Shehajt. Ngrihen dyshime mbi një sërë të ardhurash dhe transaksionesh milionëshe të deklaruara me përshkrime të përgjithshme, si “të ardhura të tjera”, “të ardhura” ose “shitje asetesh”. Sipas kallëzimit, për shuma që arrijnë në rreth 3.3 milionë euro gjatë viteve 2021–2025 nuk është individualizuar në formularët publikë burimi konkret.
“Nga shqyrtimi i deklaratave periodike të interesave private rezulton se Agron Shehaj ka deklaruar ndër vite të ardhura në vlera milionëshe me përshkrime të përgjithshme dhe të paindividualizuara, të tilla si “të ardhura të tjera”, “tjetër” ose “të ardhura”, pa përcaktuar burimin juridik dhe ekonomik konkret të tyre. Vetëm për vitet 2023–2025, shumat e deklaruara në këtë mënyrë arrijnë në 3,344,633 euro. Në deklaratat publike nuk identifikohet subjekti nga i cili janë përfituar këto të ardhura, marrëdhënia juridike që i ka prodhuar, dokumenti financiar ose kontraktor që i mbështet, mënyra e pagesës dhe trajtimi i tyre tatimor”, thuhet në kallëzim.
Gjithashtu shlyerja e detyrimeve prej më shumë se 3.6 milionë eurosh, huadhënie në vlera milionëshe apo edhe një kredi prej 2.6 milionë eurosh, janë fakte të renditura që kërkojnë hetim të thelluar të SPAK.







