Ballina Politika ‘KAYO po kthehet në vjedhjen e shekullit’, Balliu: Qeveria po boshatis buxhetin...

‘KAYO po kthehet në vjedhjen e shekullit’, Balliu: Qeveria po boshatis buxhetin dhe rrit taksat

113
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për atë që e cilëson si një aferë të rëndë financiare dhe konflikt interesi lidhur me kompaninë KAYO.

I ftuar në një emision televiziv, me moderatore Eneida Ndocin, Balliu tha se ka kërkuar interpelancë me ministrin e Mbrojtjes për çështjen dhe se opozita do ta thërrasë ministrin edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të dhënë shpjegime.

Një tjetër akuzë e deputetit demokrat lidhet me konfliktin e interesit. Sipas Balliut, ministri aktual i Mbrojtjes ka qenë më herët pjesë e bordit të KAYOs, duke e cilësuar këtë si një situatë që kërkon hetim dhe transparencë.

Deputeti i PD-së e cilësoi çështjen KAYO si një aferë që, sipas tij, mund të tejkalojë përmasat financiare të skandalit të inceneratorëve.

Sipas tij, opozita do të ndjekë edhe rrugët ligjore dhe do të kërkojë që ministri i Mbrojtjes të japë shpjegime për fondet që, sipas deputetit, po përfundojnë te një kompani që ai e akuzon se nuk prodhon dhe nuk ofron aktivitet ekonomik në përputhje me pagesat që merr.

‘Ne kemi kërkuar interpelancë, unë kam kërkuar interpelancë me ministrin e mbrojtjes. Kam kërkuar gjithashtu, kam bërë një diskutim me disa banorë ku KAYO po u vjedh dhe pronën, po u vjedh dhe tokën, dhe e kemi denoncuar këtë.

Kam pyetur dhe Ministrin e Mbrojtjes për këtë çështje dhe pavarësisht se unë kisha dokumentat, refuzoi të shikonte të vërtetën dhe realitetin. Mos harrojmë që ministri i mbrojtjes aktual ka qenë në bordin e KAYO-s dhe kjo është një konflikt interesi.

Pra me ikjen e Ballukut si zëvendëskryeministre, ajo kërkoi që të mbante në duar pushtetin, vendosi të gjithë njerëzit e vet dhe këtë kishte në xhepin e saj në poste kyçe, qoftë kjo në ministrinë e mbrojtjes apo në ministrinë që drejtonte dikur.

Dhe një nga ata persona është dhe ministri i mbrojtjes i cili ka qenë pjesë e bordit të KAYOs, pra pjesë e kësaj industrie të vjedhjes. Dhe ne kemi kërkuar interpelanca, i kemi bërë këto interpelanca, gjithashtu do të thërrasim në komision të punëve të brendshme, në cilësinë e nënkryetarit të komisionit, do ta thërras ministrin e mbrojtjes në komision për të dhënë shpjegime për këto para që po i largohen qytetarëve shqiptarë drejt një kompanie që nuk prodhon, nuk bën gjë.

Dhe përsa i përket asaj që ju pyesni, patjetër do ndjekim dhe rrugët ligjore dhe po bëhemi gati. Dhe përsa i përket pjesës tjetër të qytetarëve, qytetarët duhet që… mbase ky mund të jetë dhe gabimi jonë që nuk e kemi shpjeguar siç duhet, por qytetarët duhet të kuptojnë që kur buxheti boshatiset, rriten taksat.

Dhe rritja e taksave sjell pastaj rritjen e çmimeve, qoftë këto për apartamente, qoftë këto për ushqimet, qoftë këto për naftën. Se naftë ka në të gjithë botën, por tek ne është më e shtrenjtë për shkak të taksave që ka vendosur Edi Rama. Janë 13 taksa. Dhe arsyeja pse vendosen gjithë këto taksa është për të zëvendësuar gropat që krijohen në buxhet nga vjedhjet dhe aferat korruptive të Edi Ramës, siç janë inceneratorët apo KAYO. Por duhet të theksojmë dhe një gjë që ka shumë rëndësi.

KAYO si industri e vjedhjes nga pikëpamja financiare e kalon inceneratorin, për nga xhirot financiare që kërkon të bëjë të paktën për disa afate kohore. Pra në këtë aspekt duhet të shikojmë me shumë kujdes se KAYO po kthehet në vjedhjen e shekullit. Domethënë po e kalon dhe inceneratorin, po i merr vendin e parë, se kjo qeveri e vetmja garë që ka është se me cilën aferë kanë vjedhur më shumë.

Kjo është e para apo e dyta. S’kanë asgjë tjetër, asnjë garë, se siç e shikoni kur vjen vera këtu Shqipëria është nën flakë, kur vjen dimri përmbytemi. Pra qeveria jonë nuk punon as me vapën as me të ftohtin. Është një qeveri e cila ka vetëm një detyrë: të mbushi xhepat me aferat e veta korruptive. Dhe qytetarët duhet të kuptojnë që janë këto afera që prodhojnë gropat në buxhetin e shtetit që pastaj sjellin dhe rritjen e taksave. Prandaj ne sot kemi taksat më të larta në rajon dhe rrogat më të ulëta në rajon.

Prandaj kemi çmimin e naftës më të lartin në Evropë, pavarësisht se jemi populli më i varfër në Evropë. E gjitha vjen vetëm prej korrupsionit dhe vjedhjeve. Nëse do të goditej korrupsioni realisht, jo me lojërat që bën SPAK-u që godet njërin për shpërdorim detyre dhe futen këta të partisë socialiste si deputetë në burg apo si ministër në burg dhe vetëm kur dalin si biznesmenë pastaj. Siç ishte rasti i Tahirit e shumë e shumë të tjerëve. Që futen me 2 milionë lekë rrogë në muaj si deputetë, por kur dalin pastaj, dalin me biznese e restorante, pallate, kompani ndërtimesh, që kjo është shumë e çuditshme. Nuk kam parë njerëz… vetëm në Shqipëri ndodh që njerëzit pasurohen në burg. Vetëm këtu tek ne ndodh, dhe u ndodh gjithmonë këtyre të partisë socialiste. Pra në këtë aspekt qytetarët duhet të kuptojnë që ka vetëm një arsye pse kostot në Shqipëri janë rritur… në fakt janë dy arsye pse janë rritur kostot.

Një, është inkriminimi i ekonomisë nëpërmjet trafikut të drogës i cili pastron paratë e drogës në ekonomi dhe e ka inkriminuar ekonominë, dhe e dyta është korrupsioni. Po të goditen këto të dyja, qytetarët shqiptarë do kishin mundësi të jetonin me dinjitet me punën e tyre siç bën çdo qytetar në Evropë.’, tha deputeti i PD-së Klevis Balliu.