Ballina Kuriozitete Librat e përdorur po zhduken nga tregu, po kush po i blen...

Librat e përdorur po zhduken nga tregu, po kush po i blen dhe për çfarë?

104
0

Diçka e pazakontë po ndodh në tregun e librave të përdorur. Gjatë muajve të fundit, librashitës të pavarur në vende të ndryshme kanë vënë re një valë porosish masive, ku mijëra libra po dërgohen drejt magazinave të largëta, pa qenë e qartë se cili është destinacioni i tyre përfundimtar.

Stuart Manley, pronar i librarisë së njohur Barter Books në Northumberland të Britanisë së Madhe, thotë se zakonisht shet 2.000 deri në 3.000 libra në javë. Por së fundmi mori një porosi të vetme nga një kompani kanadeze, e cila ishte sa shitjet e një jave të tërë.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në 30 vjet që merrem me tregtinë e librave të përdorur”, tha ai.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Britani. Librashitës nga vende të ndryshme raportojnë porosi të ngjashme dhe të pazakonta. Shumë prej tyre dyshojnë se librat nuk po blihen për lexues të apasionuar, por për një konsumator krejt tjetër: inteligjencën artificiale.

Vendimi gjyqësor që hapi rrugën

Dyshimet lidhen me një vendim të një gjykate amerikane në vitin 2025, e cila vendosi se përdorimi i librave të blerë ligjërisht për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale nuk përbën shkelje të ligjit amerikan për të drejtat e autorit.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur kundër kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic nga tre autorë. Gjykatësi William Alsup argumentoi se përdorimi i librave nga kompania ishte “jashtëzakonisht transformues” dhe për këtë arsye i lejueshëm sipas ligjit.

Dokumentet gjyqësore të publikuara më vonë zbuluan gjithashtu se gjatë procesit të trajnimit të chatbot-it Claude, librat skanoheshin dhe më pas shkatërroheshin.

Anthropic deklaroi se Claude trajnohet me të dhëna publike nga interneti, baza të dhënash të blera komercialisht dhe materiale të krijuara nga vetë kompania. Sipas saj, përdorimi i librave për trajnim është një praktikë e zakonshme në industrinë e inteligjencës artificiale.

‘Skanimi shkatërrues’

Dokumentet zbuluan ekzistencën e një projekti të brendshëm të quajtur “Project Panama”, që synonte digjitalizimin masiv të librave.

Procesi, i njohur si “skanim shkatërrues”, përfshin heqjen e kopertinës dhe të shtyllës së librit për të skanuar me shpejtësi çdo faqe. Pas digjitalizimit, pjesët e mbetura riciklohen.

Sipas ekspertëve, shumëllojshmëria e librave që po blihen – nga tekste të rralla latine deri te romane western – sugjeron se qëllimi është pasurimi i bazave të të dhënave të modeleve të mëdha gjuhësore, teknologjia që qëndron pas chatbot-eve dhe mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale.

Shqetësimet etike

Librashitësit janë të ndarë mes përfitimit ekonomik dhe shqetësimeve morale.

David Tobin, pronar i librarisë Walden Books në Londër, thotë se është pozitive që disa libra të pashitur prej vitesh po gjejnë më në fund blerës, por do të ishte zhgënjyese nëse përfundimisht shkatërrohen.

Ndërsa Derek Walker, pronar i librarisë McNaughtan’s në Edinburg, paralajmëron se rreziku bëhet serioz kur bëhet fjalë për botime tepër të rralla.

“Kemi pasur libra që përbëjnë të vetmin ekzemplar të njohur të një botimi të shekullit XVIII. Do të ishte një humbje e madhe nëse një libër i tillë blihej vetëm për t’u shkatërruar”, tha ai.

Megjithatë, disa librashitës vërejnë se për shumë tituj të zakonshëm, të cilët nuk kanë më kërkesë në treg, riciklimi mund të jetë një zgjidhje praktike.

“Bota nuk ka më nevojë për pesë milionë kopje të ‘Kodit Da Vinçi’”, thotë Manley. “Kam pasur libra të shpallur për shitje në internet për 20 vjet dhe nuk janë shitur deri tani.”