Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku një efektiv i policisë greke shfaqet duke goditur me shkop gome një protestuese gjatë incidenteve në Athinë, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve.
Policia greke ka njoftuar nisjen e një hetimi disiplinor dhe penal ndaj efektivit, i cili do të transferohet nga pozicioni aktual, ndërsa po shqyrtohet edhe pezullimi i tij nga detyra.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 17 nëntorit, në bulevardin Alexandras, pas marshimit tradicional në përkujtim të kryengritjes studentore të Politeknikut të Athinës kundër diktaturës ushtarake të vitit 1973.
Pamjet e shpërndara në internet tregojnë momentin kur polici godet protestuesen, duke shkaktuar reagime dhe duke nxitur ndërhyrjen e autoriteteve.
Në një deklaratë zyrtare, policia greke theksoi se incidentet e dhunës së paligjshme nga efektivët nuk do të tolerohen dhe se çdo rast do të hetohet.
Në marshimin përkujtimor morën pjesë mijëra qytetarë. Pas përfundimit të tij u regjistruan përleshje mes policisë dhe grupeve të të rinjve, gjatë të cilave pesë persona mbetën të plagosur, përfshirë dy policë, ndërsa pesë të dyshuar u arrestuan.







