Ballina Kronika Zjarri përfshin restorantin e ‘Mesopotam Agroturizëm’ në Sarandë, digjet plotësisht

Zjarri përfshin restorantin e ‘Mesopotam Agroturizëm’ në Sarandë, digjet plotësisht

63
0

Një zjarr i madh ka përfshirë mëngjesin e sotëm restorantin e resortit “Mesopotam Agroturizëm”, i cili ndodhet përgjatë rrugës nacionale Sarandë–Syri i Kaltër, duke e shkrumbuar plotësisht.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 05:30 të mëngjesit të kësaj të diele. Flakët janë përhapur me shpejtësi në ambientet e restorantit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke djegur tërësisht strukturën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Finiqit, të cilat kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët dhe kanë bërë të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit në kabinat prej druri, pjesë e resortit.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt në rrjetin elektrik. Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet shkaku i saktë i rënies së zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.