Ballina Kronika Dhuna ndaj shefit të Hetimit në Sarandë zbulon sëmundjen e vjetër të...

Dhuna ndaj shefit të Hetimit në Sarandë zbulon sëmundjen e vjetër të Policisë: Efektivë elitarë që punojnë si roje private. Hitaj mjaftohet me pezullime

77
0

Në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të lokalit “Orange” në rrugën “Butrinti” të Sarandës, u dhunua me grushte shefi i Hetimit të Krimit të Komisariatit, nënkomisari Mateo Bakalli. Ngjarja që fillimisht u duk si një sherr i zakonshëm i natës, zbuloi brenda pak orësh një realitet të njohur, por që vazhdon të përsëritet: efektivë të forcave speciale të Policisë që punojnë fshehurazi si roje private në lokalin ku ndodhi dhuna.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 03:20 rojet e sigurisë së lokalit ishin në konflikt fizik me disa persona dhe nuk kishin njoftuar asnjë patrullë. Bakalli, që po kalonte rastësisht me makinë, ndaloi, u identifikua si oficer dhe u përpoq të ndërhynte. Në vend që të tërhiqeshin, rojet e lokalit e goditën me grushte. Ai u detyrua të kalonte në vetëmbrojtje dhe të thërriste ndihmë. Brenda një minute mbërritën “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë.
Pas operacionit u arrestuan gjashtë persona, mes tyre administratori i lokalit Marjo Katiraj (35), Elgent Ndoj (38), Faik Hoxha (35), Indrit Cullhaj (34), Ardit Kasemi (31) – ushtarak në Zall-Herr që punonte edhe si roje – dhe taksisti Besnik Sullollari (29). Një tjetër roje, Pjetër Doçi (28), u shpall në kërkim. Bakalli u dërgua në spital me hematoma në sy dhe dëmtime të tjera.
Por ajo që e shndërroi ngjarjen nga një incident i thjeshtë në një skandal institucional ishte zbulimi se dy nga rojet e lokalit ishin efektivë aktivë të Policisë së Shtetit: njëri nga Reparti “RESI” dhe tjetri nga RENEA. Të dy punonin fshehurazi, pa leje, në të njëjtin lokal ku u dhunua shefi i Hetimit. Ata as nuk njoftuan, as nuk ndërhynë për të ndaluar përshkallëzimin.
Drejtori i Përgjithshëm Skender Hitaj reagoni menjëherë me pezullimin e tyre dhe me hapjen e hetimit disiplinor. Ky është stili i tij i njohur: pezullime të shpejta, deklarata të forta dhe dërgimi i grupeve pune. Por pyetja që mbetet e hapur është më e thellë.
Si është e mundur që efektivë të njësive elitare të Policisë, që duhet të jenë në dispozicion 24 orë, të punojnë natën si roje private në lokale të Sarandës? Si është e mundur që sistemi i kontrollit të dypunësimit, që pretendohet se është shtrënguar, të dështojë pikërisht në forcat speciale? Dhe sa herë duhet të përsëriten skandale të tilla që Drejtoria e Përgjithshme të kalojë nga pezullimet e shpejta te ndryshimi real i kulturës brenda strukturës?
Saranda nuk është rast i izoluar. Vetëm pak muaj më parë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi shefin e Komisariatit dhe disa specialistë të tjerë për favorizim të ndërtimeve pa leje. Tani kemi efektivë të RESI-t dhe RENEA-s që punojnë si roje nate. Kjo tregon se problemet e disiplinës, të lidhjeve me bizneset lokale dhe të mungesës së kontrollit të brendshëm nuk janë zgjidhur, pavarësisht premtimit të “zero tolerancës” që Hitaj ka përsëritur disa herë.
Pezullimi i dy efektivëve është masë e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Ajo duket më shumë si përpjekje për të shuar zjarri n se sa për të kuptuar pse sistemi vazhdon të prodhojë të njëjtat dështime. Nëse oficerët e njësive speciale mund të punojnë fshehurazi si roje private dhe të jenë të pranishëm kur dhunohen kolegët e tyre, atëherë problemi nuk është individual – është strukturor.
Mateo Bakalli u dhunua sepse ndërhyri. Dy efektivë të Policisë ishin aty, por jo në cilësinë e oficerëve. Dhe Drejtoria e Përgjithshme, si zakonisht, pezulloi. Historia e njohur vazhdon./vna