Kompania e Mark Zuckerberg që zotëron Facebook dhe Instagram është përballur me humbje të njëpasnjëshme në gjykatë lidhur me mënyrën se si platformat e saj kanë synuar dhe dëmtuar përdoruesit e rinj, por një gjyq me jurí që fillon të martën, 18 gusht, mund të përbëjë kërcënimin më të madh që ka pasur ajo deri sot.
Gjyqi buron nga një padi e depozituar në vitin 2023 nga 30 shtete të SHBA-së, përfshirë Kalifornian dhe Nju Jorkun, në të cilën ato pretendojnë shkelje të shumta të ligjeve federale dhe shtetërore mbi privatësinë e fëmijëve. Ata e akuzojnë Meta-n se ka projektuar platformat e saj në mënyrë të tillë që të mbajë fëmijët dhe adoleshentët sa më gjatë të jetë e mundur në rrjetet sociale.
Paditësit kërkojnë dëmshpërblime që mund të kalojnë 1 trilion dollarë, por edhe ndryshime të thella në platformat e kompanisë.
Çfarë kërkojnë shtetet amerikane?
Shtetet që kanë ngritur padinë kërkojnë që Meta të:
– Të vendosë verifikim prindëror për përdoruesit adoleshentë;
– Të ndryshojë algoritmet e rekomandimeve që manipulojnë prodhimin e dopaminës;
– Të heqë shumë prej filtrave që ndryshojnë pamjen fizike në fotografi;
– Të ndalojë riprodhimin automatik të videove;
– Të kufizojë krijimin e shumë llogarive nga i njëjti përdorues;
– Të eliminojë postimet që zhduken pas një kohe, si Instagram Stories;
– Të heqë numrin publik të pëlqimeve (“likes”);
-Të kufizojë funksionin e lëvizjes së pafundme të përmbajtjes (“infinite scroll”).
Sipas padisë, këto funksione janë projektuar për të mbajtur përdoruesit, veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët, të lidhur me platformat për sa më shumë kohë.
Shtetet në padinë e tyre argumentojnë se Meta ka shfrytëzuar përdoruesit e mitur për të rritur bazën e saj të përdoruesve dhe fitimet, duke përdorur njoftime të vazhdueshme dhe mekanizma të tjerë që i nxisin të rikthehen në aplikacione. Sot, vlera e Meta-s në bursë është rreth 1.5 trilionë dollarë.
Meta i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
“Ne nuk pajtohemi me këto pretendime dhe jemi të bindur se provat do të tregojnë angazhimin tonë afatgjatë për mbështetjen e të rinjve”, deklaroi një zëdhënëse e kompanisë.
Gjyqi
Procesi do të shqyrtohet nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers, – kryegjyqtare federale në Kaliforni- e njohur për vendimet e saj në çështje të profilit të lartë në sektorin e teknologjisë.
Ajo ishte gjyqtarja në gjyqin e bujshëm Elon Musk kundër Sam Altman dhe gjatë pothuajse 20 viteve në bankën e gjyqtarëve ka fituar reputacionin e një gjyqtareje të mprehtë dhe direkte.
Padia vjen pas një tjetër goditjeje për kompaninë. Së fundmi, një gjykatë në Nju Meksiko e gjobiti Metën me 942 milionë dollarë dhe urdhëroi ndryshime të ngjashme në Facebook dhe Instagram.
Gjyqtari Bryan Biedscheid kërkoi heqjen e numrit të pëlqimeve për përdoruesit nën 18 vjeç, kufizimin e njoftimeve gjatë ditës dhe ndalimin e dërgimit ose marrjes së materialeve nudo nga adoleshentët.
Ai e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar me një fabrikë që ndot ajrin dhe shkakton pasoja të dëmshme për të gjithë komunitetin.
Nëse 30 shtetet fitojnë çështjen e tyre, Meta mund të detyrohet të zbatojë ndryshimet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, pasi shtetet pjesëmarrëse përfaqësojnë gati dy të tretat e popullsisë amerikane.
‘Adoleshentët dhe facebook’
Një nga pikat kryesore të padisë lidhet me sistemin e pëlqimeve (like), i cili ka qenë pjesë e Facebook-ut që nga ditët e para të platformës.
Sipas studimeve të shumta dhe dokumenteve të brendshme të Metës, numri i pëlqimeve mund të nxisë krahasime sociale, ulje të vetëvlerësimit, ndjenja vetmie, probleme me imazhin trupor dhe simptoma depresive te të rinjtë.
Avokatët e shteteve amerikane kanë paraqitur edhe kërkime të vetë Metës, sipas të cilave Instagram lidhet me rritjen e vetmisë, përkeqësimin e perceptimit për trupin dhe ndikime negative në gjendjen emocionale të adoleshentëve.
Sipas gjyqtarit Biedscheid, mënyra se si kanë funksionuar platformat e Metës për më shumë se një dekadë ka kontribuar në një krizë të shëndetit mendor te të rinjtë, jo vetëm në Nju Meksiko, por edhe në pjesë të tjera të SHBA-së.
Tashmë, 30 shtete të tjera po përpiqen të bindin gjykatën federale të arrijë në të njëjtin përfundim, në një proces që mund të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e rrjeteve sociale, shkruan BBC.







