Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera janë nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata po menaxhohet përmes një angazhimi të gjerë të strukturave zjarrfikëse, bashkiake, policore dhe të Forcave të Armatosura.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e zjarreve janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë ushtarakë, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Një nga vatrat kryesore vijon të jetë në Malin e Dajtit, në Tiranë, ku janë angazhuar 15 efektivë të MZSH-së, 10 forca të ADZM-së, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.
Në Gurë-Lurë, Dibër, operacioni vijon me 115 forca bashkiake, 13 efektivë të Policisë, 11 të ADZM-së, 14 efektivë të MZSH-së, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Hapja e korridoreve në terren ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës dhe Bruç, puna vijon në terren të vështirë. Nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është shuar, ndërsa vatra mbetet aktive vetëm në drejtim të Selishtës. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, forcat operacionale po vijojnë ndërhyrjen pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore.
Ndërkohë, në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata po monitorohet nga afër edhe përmes dronëve.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa strukturat qendrore dhe vendore vijojnë koordinimin e kapaciteteve tokësore dhe ajrore, me fokus te vatrat që kërkojnë ndërhyrje më intensive.







