Avokatja Adriana Kalaja ka njoftuar se do të paraqitet nesër, më 18 gusht, në orën 11:00 pranë SPAK, ku thotë se do të depozitojë një kallëzim shtesë dhe prova të reja.
Në një postim në Facebook, Kalaja ironizon SPAK-un, duke e cilësuar si “Maternitet” dhe shprehet se do t’i kërkojë drejtuesve të institucionit përgjigje mbi të dhënat e sistemit TIMS, lidhur me një Irena Gjokën dhe djalin e saj.
Ajo ngre pyetje mbi pretendimet për ndërhyrje në sistemin TIMS dhe përmend emrat e Taulant Ballës, Ulsi Manjës dhe Oltion Bistrit, duke kërkuar të hetohet nëse ka pasur lidhje mes këtyre personave dhe veprimeve në sistem.
Kalaja ngre gjithashtu dyshime për amnistimin e Oltion Bistrit dhe heqjen e sekuestros së disa pasurive, duke përmendur edhe emra të tjerë të politikës dhe drejtësisë. Ajo thekson se këto janë çështje që do t’i paraqiten SPAK-ut bashkë me provat e reja.
Në fund, avokatja paralajmëron se pas kësaj do të vijojë me një tjetër kallëzim, ku përmend Sokol Sadushin dhe akuza për abuzim me fonde të USAID në vlerën 10 milionë dollarë. Kalaja u bën thirrje ndjekësve ta ndjekin deklaratën e saj nesër në orën 11:00.







