Nëse mendoni se Shqipëria ka ndryshuar në këto 30 vite, imagjinoni çfarë ka ndodhur ndërkohë me shqiptarët përtej Adriatikut.
Dhe këtë herë nuk po flasim për italianët që mbushin plazhet shqiptare gjatë verës, për numrin e turistëve, fluturimet apo restorantet ku dëgjohet gjithnjë e më shumë italisht. Po flasim për lëvizjen në drejtimin e kundërt. Për shqiptarët që dikur mbërritën në Itali si emigrantë dhe që sot gjenden brenda ekonomisë italiane si pronarë biznesesh, administratorë, drejtues dhe ortakë.
Një fotografi shumë interesante e këtij transformimi vjen nga Puglia.
Raporti “The Rooting of Albanian and Montenegrin Entrepreneurship in Apulia”, i realizuar në kuadër të projektit BRESTAT dhe mbështetur në të dhënat e Registro Imprese, tregon se në fund të vitit 2025 në kompanitë aktive të Puglias rezultonin 1,734 persona të lindur në Shqipëri që mbanin pozicione aktive në biznes. Registro Imprese është baza zyrtare e të dhënave për sipërmarrjet italiane, e administruar në nivel teknologjik nga InfoCamere, shoqëria e sistemit të Dhomave të Tregtisë italiane që menaxhon dhe zhvillon shërbimet informatike dhe bankat e të dhënave të sistemit të tyre.
Por shifra bëhet shumë më domethënëse kur sheh se çfarë pozicionesh mbajnë.
1,051 prej tyre janë pronarë. 583 janë administratorë apo drejtues. 80 janë ortakë dhe 20 mbajnë pozicione të tjera në kompani.
Pra, në rreth 94% të rasteve bëhet fjalë për njerëz që janë ose pronarë, ose pjesë e drejtimit të kompanive. Raporti evidenton madje krijimin e një shtrese menaxheriale me origjinë shqiptare, me role vendimmarrëse dhe qeverisëse në kompani, nga administratorët te presidentët apo anëtarët e bordeve.
Është e rëndësishme një saktësi që vetë studimi e nënvizon: teknikisht nuk mund t’i quajmë të gjitha këto “biznese shqiptare”. Ato janë kompani italiane, të regjistruara dhe aktive në Puglia, brenda të cilave persona të lindur në Shqipëri kanë pozicione pronësie, drejtimi apo përgjegjësie.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pjesa më interesante e historisë: nuk po matet thjesht emigracioni shqiptar, por rrënjosja e shqiptarëve brenda strukturës ekonomike italiane.
Shifrat e dhjetë viteve të fundit e bëjnë edhe më të dukshëm ndryshimin.
Në vitin 2015 ishin 989 shqiptarë me pozicione në bizneset e Puglias. Në vitin 2020 ishin bërë 1,269. Në fund të vitit 2025 arritën në 1,734.
Pra, 75% më shumë në vetëm dhjetë vjet, një rritje që sipas raportit tejkalon edhe tendencën kombëtare. Autorët e konsiderojnë përshpejtimin e viteve të fundit si shenjë të një rrënjosjeje strukturore dhe jo episodike të komunitetit shqiptar në ekonominë e rajonit.
Edhe më domethënës është momenti kur kanë hyrë në biznes.
Nga 1,734 shqiptarët që rezultojnë sot në regjistër, vetëm 9 e kanë regjistrimin përpara vitit 1990. Në vitet 1990–1999 regjistrohen 33; në dekadën 2000–2009, 188; në vitet 2010–2019, 537.
Por shpërthimi vjen pas vitit 2020: 967 regjistrime vetëm nga viti 2020 deri në fund të 2025-s.
Do të thotë se mbi 55% e shqiptarëve që sot kanë pozicione aktive në bizneset e Puglias janë regjistruar vetëm gjatë gjashtë viteve të fundit. Raporti e lidh këtë me maturimin e komunitetit, aftësitë dhe kapitalin e akumuluar ndër vite, por edhe me integrimin gjithnjë e më të madh ekonomik mes dy brigjeve të Adriatikut.
Ka edhe një ndryshim tjetër që tregon se historia nuk është më vetëm ajo e emigrantit që hap një aktivitet të vogël individual.
Sipërmarrja individuale vazhdon të dominojë, me 1,054 persona. Por pjesa që ka ndryshuar më fort në dhjetë vjet janë shoqëritë e kapitalit.
Në vitin 2015 vetëm 167 shqiptarë rezultonin me pozicione në këto kompani. Në 2020 ishin 310. Në 2025 janë 491.
Rritja në dhjetë vjet është 194%.
Pesha e tyre brenda totalit është rritur nga 16.9% në vitin 2015 në 28.3% në 2025. Raporti e lexon këtë si një proces “maturimi sipërmarrës”: kalimin gradual nga modeli i aktivitetit individual drejt strukturave më të organizuara, me potencial më të madh investimi, akses në kredi dhe dalje në treg.
Edhe sektorët tregojnë historinë e këtij transformimi.
Ndërtimi mbetet motori kryesor. Në vitin 2015 kishte 316 shqiptarë të angazhuar në këtë sektor; në 2025 janë rreth 750, ose 43.3% e totalit. Por ndërkohë shqiptarët janë shtrirë në tregti, restorante, shërbime, transport, industri ushqimore, mirëmbajtje, hoteleri dhe bujqësi.
Veçanërisht interesante është bujqësia: nga vetëm 41 persona në vitin 2015, në 142 në vitin 2025. Dhe kjo ndodh ndërkohë që numri i përgjithshëm i bizneseve bujqësore të Puglias është në tkurrje. Raporti e konsideron një penetrim ende të kufizuar, por domethënës të shqiptarëve në këtë sektor.
Dhe nuk janë vetëm burrat.
Në vitin 2015 kishte 224 gra shqiptare me pozicione në bizneset e Puglias. Sot janë 403. Numri i tyre është rritur me pothuajse 80% në dhjetë vjet.
Është gjithashtu një komunitet sipërmarrës relativisht i ri. 1,081 persona, mbi 62% e totalit, janë 30–49 vjeç, ndërsa 125 janë nën 30 vjeç.
Edhe gjeografia ka surprizat e saj.
Bari dhe zona BAT mbajnë mbi gjysmën e gjithë pranisë sipërmarrëse shqiptare të Puglias, me 947 persona. Pas tyre vijnë Lecce me 285, Brindisi me 190, Foggia me 176 dhe Taranto me 136.
Por qendra më e madhe në nivel bashkie nuk është Bari.
Është Altamura, me 260 shqiptarë të regjistruar me pozicione në biznes, pothuajse dyfishi i Barit, që ka 131. Kjo tregon se sipërmarrja shqiptare nuk është përqendruar vetëm në qytetet e mëdha, por është futur thellë në ekonomitë lokale dhe qendrat e mesme të Puglias.
Raporti shkon edhe përtej pronarëve dhe drejtuesve dhe analizon shqiptarët si fuqi pune.
Në vitin 2025 në Puglia u aktivizuan 18,902 kontrata të reja pune për shtetas shqiptarë dhe malazezë, por raporti sqaron se pothuajse të gjitha u përkasin shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për 18,902 persona të ndryshëm, pasi i njëjti punonjës mund të ketë pasur më shumë se një kontratë gjatë vitit, por shifra mat intensitetin e pranisë së komunitetit në tregun e punës.
Vetëm në bujqësi u aktivizuan 11,321 kontrata për shqiptarë gjatë vitit 2025. Mbi 2,100 të tjera në tregtinë me shumicë, 1,405 në shërbimet e ushqimit dhe pijeve dhe mbi 1,100 në dy degët kryesore të ndërtimit.
Pra fotografia ka ndryshuar.
Tridhjetë e pesë vjet pas eksodeve që krijuan një nga imazhet më të forta të Shqipërisë së viteve ’90, në anën tjetër të Adriatikut kemi tashmë një brez shqiptarësh që nuk është thjesht pjesë e tregut italian të punës. Është pronar, administrator, ortak, drejtues dhe sipërmarrës.
Këto janë shifra që në Shqipëri lexohen pak, por që tregojnë shumë.
Sepse përtej statistikave të emigracionit, remitancave apo numrit të shqiptarëve që jetojnë në Itali, ato tregojnë një transformim shumë më të thellë: kalimin nga krahu i punës te pronësia, drejtimi dhe sipërmarrja.
Janë një tregues i qartë i asaj që ka ndodhur me shqiptarët në Itali gjatë tri dekadave të fundit: një komunitet që hyri kryesisht si fuqi punëtore dhe që sot është gjithnjë e më i pranishëm brenda vetë strukturës së biznesit italian.
Pas shifrave është puna e Unioncamere Puglia dhe e ekipit që ka analizuar të dhënat e Registro Imprese. Menaxhimi dhe koordinimi i raportit mban emrin e Luigi Triggiani, Segretario Generale i Unioncamere Puglia, ndërsa analiza ekonomike është redaktuar nga Cosmo Albertini dhe Giovanni Restivo.
Nga 989 në 1,734 në dhjetë vjet. Nga sipërmarrja individuale te kompanitë e kapitalit. Nga puna te drejtimi dhe pronësia. Ndoshta kjo është fotografia më e saktë e ndryshimit që shifrat e emigracionit, të vetme, nuk arrijnë më ta tregojnë.







