Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në nje studio televizive, ka analizuar qëndresën masive që vijon prej 80 ditësh kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Çepani theksoi se kjo lëvizje tregon një pjekuri të lartë qytetare dhe se po rikthen qytetarin në qendër të politikës dhe vendimmarrjes.
Sipas Çepanit, reagimi në shesh shkon përtej kërkesave tradicionale për zëvendësimin e individëve në pushtet, duke synuar një reformim të thellë të mënyrës se si funksionon shteti. Ajo u shpreh se me sistemin e ngritur gjatë tranzicionit, qytetarët nuk po marrin shërbimet e duhura për taksat që paguajnë.
Për këtë arsye, ajo u shpreh se kërkesa kryesore nuk është thjesht largimi i një personi për të vendosur një tjetër, por përmbysja e kulturës se si bëhet politika. Aktivistja u bëri thirrje institucioneve të mos merren me numërimin e pjesëmarrësve, por të lexojnë mesazhin e tyre, duke i kujtuar politikës se qytetari është punëdhënësi real që kërkon shërbime dhe dinjitet.
Aktivistja nënvizoi se kjo protestë po shërben si një model reagimi qytetar që po merret si shembull pozitiv edhe jashtë vendit, përfshirë thirrjet në Itali për të ndjekur të njëjtën rrugë. Angazhimi dhe mbështetja nga diaspora po jep një shtytje të madhe dhe dëshmon vëmendjen e saj të vazhdueshme ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, lëvizja po shmang kultin e individit duke funksionuar në mënyrë horizontale, ku koordinatorët dhe qytetarët bashkërendojnë hapat përmes një strategjie fluide.
Megjithëse protesta ka gjetur jehonë në Parlamentin Evropian dhe në mediat ndërkombëtare, Çepani theksoi se ndryshimi real duhet të nisë nga vetë njerëzit brenda vendit. Nëse politika nuk tregon vizion për të reflektuar ndaj këtyre kërkesave, hendeku mes institucioneve dhe qytetarëve do të zgjerohet edhe më tej, duke krijuar një distancim të rrezikshëm.







