Ballina Aktualitet “Shëndetësia falas”, Spitali Amerikan rriti me 552% fitimet në vitin 2025

“Shëndetësia falas”, Spitali Amerikan rriti me 552% fitimet në vitin 2025

40
0

Premtimi për “shëndetësi falas” duket gjithnjë e më larg realitetit me të cilin përballen çdo ditë qytetarët shqiptarë. Në letër, sistemi publik duhet të garantojë akses në shërbime shëndetësore pa e rënduar financiarisht pacientin. Në praktikë, qytetarët shqiptarë përballen me një realitet tjetër: pritje, mungesë të shërbimeve të caktuara, raste kur aparaturat nuk janë funksionale apo nevojën për diagnostikime dhe trajtime që përfundojnë duke u kërkuar në sektorin privat.

Dhe ndërsa debati për cilësinë dhe kapacitetet e sistemit publik vazhdon, bilancet e spitaleve private tregojnë se tregu po zgjerohet fuqishëm dhe kjo në kurriz të qytetarëve.

Një nga shembujt më domethënës është Spitali Amerikan, grupi që pas përthithjes së Spitalit Hygeia ka konsoliduar më tej praninë e tij në tregun privat të shëndetësisë. Vetë kompania e përshkruan vitin 2025 si vitin e “konsolidimit të plotë” të Hygeia me grupin, me synim rritjen e sinergjive, optimizimin e burimeve dhe bashkëpunimin mes spitaleve.

Shifrat financiare janë të forta.

Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të analizuara nga ekofin.al, American Hospital realizoi rreth 8.5 miliardë lekë të ardhura nga aktiviteti kryesor, nga rreth 5.58 miliardë lekë një vit më parë. Rritja është afërsisht 52.5%, ose rreth 2.93 miliardë lekë më shumë brenda vetëm një viti.

Edhe më e fortë është rritja e fitimit. Fitimi neto i shoqërisë arriti në 554.5 milionë lekë në vitin 2025, nga vetëm 85 milionë lekë në periudhën paraardhëse. Kjo do të thotë se fitimi është rritur me rreth 552%, ose është bërë më shumë se 6.5 herë më i lartë.

Krahasimi vjetor duhet lexuar edhe në kontekstin e një ndryshimi të rëndësishëm strukturor. International Hospital, që operonte Spitalin Hygeia, u bashkua me përthithje me American Hospital dhe prej shtatorit 2024 aktiviteti zhvillohet si një subjekt i vetëm. Vetë kompania argumenton se bashkimi synonte uljen e kostove, optimizimin e burimeve, ekonomitë e shkallës dhe përmirësimin e performancës financiare. Për rrjedhojë, rritja e vitit 2025 nuk mund t’i atribuohet mekanikisht vetëm shtimit organik të pacientëve; në të ndikon edhe konsolidimi i Hygeia.

Por përtej këtij efekti kontabël dhe strukturor, përmasat që ka marrë aktiviteti privat janë domethënëse për atë që po ndodh me tregun shqiptar të shëndetësisë.

Në vitin 2025, grupi deklaron më shumë se 2,241 punonjës. Gjatë vitit janë kryer rreth 16 mijë ndërhyrje kirurgjikale, ose 21 mijë në nivel të konsoliduar, rreth 5 mijë trajtime mjekësore, 8 mijë në nivel të konsoliduar, si dhe 117 mijë seanca dialize.

American Hospital tashmë ofron një gamë jashtëzakonisht të gjerë shërbimesh, nga kardiologjia invazive, transplantet e organeve dhe kirurgjia, te radiologjia e avancuar, dializa, neurokirurgjia, IVF, kardiokirurgjia dhe mjekësia nukleare.

Këtu qëndron edhe paradoksi i madh i modelit shqiptar të shëndetësisë.

Sa më shumë qytetari nuk e gjen në kohë ose në nivelin e kërkuar shërbimin në sistemin publik, aq më shumë krijohet treg për privatin. Një rezonancë, një ekzaminim i specializuar, një ndërhyrje apo një procedurë diagnostikuese që nuk realizohet në kohë në publik, për pacientin nuk është një shërbim që mund të shtyhet pafundësisht. Në shumë raste alternativa është e thjeshtë: të presë, të shkojë jashtë vendit ose të nxjerrë kartën e bankës dhe të paguajë te privati.

Në këtë kuptim, lulëzimi financiar i spitaleve private nuk duhet parë vetëm si histori suksesi biznesi. Ai është njëkohësisht një tregues që meriton të lexohet në raport me funksionimin e sistemit publik. Dhe këtu lind pyetja: a është sabotuar qëllimisht publiku prej vitesh për të “majmur” privatin?

 

Vetë American Hospital e ka ndërtuar strategjinë pikërisht mbi zgjerimin e kapaciteteve, investimet në teknologji dhe rritjen e numrit të pacientëve. Në raportin e tij, të konsultuar nga ekofin.al, grupi deklaron se investon në aparatura të teknologjisë së avancuar me synimin që pacientët të mund t’i marrin shërbimet në Shqipëri pa qenë të detyruar të kurohen jashtë vendit.

Në një ekonomi tregu, nuk ka asgjë të pazakontë që një kompani private të investojë, të tërheqë pacientë dhe të realizojë fitim. Problemi fillon kur zgjerimi i tregut privat ushqehet edhe nga boshllëqet e një sistemi publik që financohet nga taksat dhe kontributet e qytetarëve, ndërsa të njëjtët qytetarë detyrohen të paguajnë për herë të dytë nga xhepi për të marrë shërbimin kur u nevojitet.

Kështu, “falas” rrezikon të mbetet vetëm fjala në slogan.

Në njërën anë është sistemi publik, ku shteti vazhdon të premtojë akses universal. Në anën tjetër është një industri private që zgjeron kapacitetet, teknologjinë, numrin e pacientëve dhe fitimet.

Vetëm American Hospital kishte në fund të vitit 2025 aktive prej rreth 13.85 miliardë lekësh, ndërsa në nivel të konsoliduar grupi arrinte në mbi 14.12 miliardë lekë aktive. Në nivel të konsoliduar, të ardhurat nga aktiviteti arritën në 10.23 miliardë lekë dhe fitimi neto në rreth 568 milionë lekë.

Këto janë shifra të një biznesi të madh dhe të një tregu që po merr përmasa gjithnjë e më të rëndësishme.

Dhe pikërisht këtu duhet të zhvendoset debati: jo te fakti që privati po fiton, sepse ky është qëllimi normal i një sipërmarrjeje private, por te arsyeja pse qytetarët shqiptarë po krijojnë një kërkesë kaq të madhe për shërbime private.

Nëse qytetarët paguajnë taksa dhe kontribute për sistemin publik, por kur kanë nevojë për ekzaminimin, aparaturën, specialistin apo ndërhyrjen përfundojnë sërish duke paguar në privat, atëherë pyetja nuk është sa fiton Spitali Amerikan.

Pyetja është: sa po i kushton realisht shqiptarëve “shëndetësia falas”?/ekofin.al