Një kthesë e papritur është shënuar në gjyqin për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona, pasi mbrojtja ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë dhe përkatësinë e disa dokumenteve mjekësore të paraqitura si prova në gjykatë.
Gjatë seancës së së enjtes, avokati Agustin Varela, i cili mbron infermieren Nancy Forlini, një nga të pandehurit, pretendoi se disa rezultate të analizave për veshkat nuk i përkisnin Diego Maradonës, por babait të tij.
Sipas mbrojtjes, disa prej dokumenteve datojnë që nga viti 2015 dhe rezultatet nuk mund t’i referoheshin gjendjes shëndetësore të futbollistit, pasi në atë periudhë Maradona ndodhej kryesisht në Dubai.
Në vitin 2015, Maradona ishte kthyer në Argjentinë për të vizituar babanë e tij, Diego Salustiano Maradona, i cili ndërroi jetë në qershor të atij viti.
Për shkak të pretendimeve të ngritura nga mbrojtja, gjykata vendosi të shtyjë seancën deri më 27 gusht, në mënyrë që të verifikojë se kujt i përkasin dokumentet dhe analizat mjekësore të paraqitura në dosje.
Shtatë persona në gjyq për vdekjen e Maradonës
Në proces janë shtatë të pandehur, mes tyre mjekë dhe kujdestarë që u përfshinë në kujdesin shëndetësor të Maradonës gjatë periudhës së fundit të jetës së tij. Ata akuzohen për neglizhencë kriminale.
Diego Maradona ndërroi jetë në nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, në banesën e tij, vetëm disa javë pasi kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e një mpiksjeje gjaku në tru.
Prokuroria pretendon se ekipi mjekësor që kujdesej për të nuk i ofroi trajtimin dhe monitorimin e nevojshëm gjatë ditëve të fundit të jetës së tij.
Të pandehurit i mohojnë akuzat dhe argumentojnë se Maradona vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore dhe disa sëmundje kronike, të cilat, sipas tyre, kanë ndikuar në vdekjen e tij.
Nga ana tjetër, prokuroria këmbëngul se mënyra se si ishte organizuar kujdesi mjekësor në shtëpi nuk përputhej me gjendjen e rënduar shëndetësore të ish-kapitenit të Argjentinës.







