Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas incidentit të ndodhur në Bashkinë e Pustecit, ku gjatë një aktiviteti me praninë e përfaqësuesve zyrtarë nuk u luajt himni kombëtar shqiptar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës”, ndërsa vlerësoi qëndrimin e kryetarit të bashkisë, Pali Kolefski.
Rama theksoi se Kolefski u tregua një “shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane” kur kërkoi ndjesë pasi kërkesa e tij për luajtjen e himnit shqiptar u injorua.
I ndalur te prania e figurave apo grupeve të caktuara politike nga jashtë kufijve, kreu i qeverisë e ironizoi situatën duke e quajtur atë një shfaqje kalimtare të nacionalizmit të vjetruar.
Kryeministri nënvizoi se minoritetet në Shqipëri nuk janë thjesht statistikë apo numra, por “pasuri kombëtare” dhe vëllezër e motra me të drejta të barabarta, duke garantuar se Shqipëria do të vazhdojë të ruajë lartësinë e vlerave të saj europiane kundrejt provokimeve politike.







