Ballina Aktualitet Sterilizimi ndryshon “formë”, jo përfituesit/ OSHIS nis me “këmbën e gabuar”, i...

Sterilizimi ndryshon “formë”, jo përfituesit/ OSHIS nis me “këmbën e gabuar”, i jep 1.7 mln euro pa garë kompanisë të ish-drejtorit të koncesionarit

40
0

Koncesioni i sterilizimit mund të ketë përfunduar në letra dhe shërbimi t’i jetë rikthyer shtetit, por mënyra se si po shpërndahen fondet ngre pikëpyetje nëse ka ndryshuar realisht edhe përmbajtja e skemës. Emra dhe kompani të lidhura më herët me koncesionarin privat shfaqen sërish si përfitues të parave publike, këtë herë përmes strukturës shtetërore që mori në dorë shërbimin.

Në qendër të kësaj historie është Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, i drejtuar nga Arisa Cane, i krijuar pas përfundimit të kontratës koncesionare. OSHIS sapo ka nisur punën, por duket se e ka nisur me ‘këmbën e gabuar’, pasi një nga tenderët e parë është dhënë pa garë, me vetëm një kompani pjesëmarrëse.

Bëhet fjalë për procedurën për sigurimin e transportit rezervë të materialeve mjekësore dhe mbetjeve të rrezikshme spitalore, në rastet kur OSHIS nuk është në gjendje ta kryejë përkohësisht vetë këtë shërbim.

fgbfgfgb.PNG

E thënë më thjesht, shteti ka kërkuar një operator privat “rezervë”, i cili do të ndërhyjë atëherë kur struktura shtetërore nuk mund ta realizojë transportin.

Për këtë kontratë, me kohëzgjatje vetëm një vit, fondi i parashikuar arrin në rreth 159.9 milionë lekë, ose afërsisht 1.7 milionë euro.

Në procedurë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm kompania “GAMASERVICE”, me një ofertë që arrinte në rreth 96.6% të fondit limit. Në mungesë të konkurrentëve të tjerë, kompania është shpallur fituese.

222.PNG

Pra, për një kontratë me vlerë rreth 1.7 milionë euro, shteti nuk ka pasur mundësi të krahasojë oferta, çmime apo kushte mes disa operatorëve ekonomikë.

Formalisht, fakti që paraqitet vetëm një ofertues nuk e bën automatikisht një procedurë të paligjshme. Por kur bëhet fjalë për miliona euro të taksapaguesve dhe oferta fituese afrohet ndjeshëm me fondin limit, mungesa e konkurrencës është të paktën një arsye serioze për të kërkuar transparencë mbi kriteret, mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe arsyen pse tregu prodhoi vetëm një ofertë.

Dhe historia bëhet edhe më interesante kur shihet se kush qëndron pas kompanisë fituese.

Nga koncesionari privat te kompania shtetërore

“GAMASERVICE” është në pronësi të Artan Lleshit, një emër që nuk shfaqet për herë të parë në historinë e sterilizimit.

Lleshi ka mbajtur funksion drejtues në kompaninë koncesionare “Sani Service”, e cila për vite me radhë administroi koncesionin e sterilizimit dhe përfitoi miliona euro nga buxheti i shtetit.

Emri i tij është përmendur gjithashtu në dosjen hetimore të SPAK për koncesionin e sterilizimit, çështje në të cilën janë marrë nën akuzë ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, mes të tjerëve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga dosja hetimore, Lleshi ka qenë pjesë e strukturës drejtuese të “Sani Service”, ndërsa mes kompanisë koncesionare dhe “GAMASERVICE” janë evidentuar transaksione financiare gjatë periudhës prill 2020–dhjetor 2021.

Kështu krijohet një paradoks që vështirë se kalon pa u vënë re, kompania private që përfitonte nga koncesionari i sterilizimit, tashmë përfiton kontratë edhe nga kompania shtetërore që zëvendësoi koncesionarin.

Miqësitë e vjetra dhe dosja e SPAK

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen gjatë hetimeve për sterilizimin janë marrëdhëniet e hershme mes personave të përfshirë në këtë histori.

Sipas raportimeve, Artan Lleshi dhe Ilir Rrapaj kanë qenë shokë klase në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa lidhje njohjeje nga periudha e studimeve janë raportuar edhe me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

Vetë SPAK ka hetuar marrëdhëniet financiare dhe rolet e personave e kompanive të përfshira në koncesionin e sterilizimit. Megjithatë, përmendja e një personi në një dosje hetimore apo ekzistenca e marrëdhënieve tregtare nuk nënkupton vetvetiu përgjegjësi penale, në mungesë të një akuze apo vendimi gjyqësor ndaj tij.

Por nga këndvështrimi i administrimit të parave publike, pyetja mbetet tjetër, si përfundon sërish një kontratë milionëshe te një kompani e lidhur historikisht me strukturën private që më parë administronte të njëjtin shërbim?

Dhe për më tepër, pa konkurrencë reale në procedurë.

Kalimi i sterilizimit nën administrim shtetëror duhej, në parim, të sillte një model tjetër, më shumë kontroll publik, transparencë mbi kostot dhe më pak varësi nga operatorët privatë që për vite kishin përfituar nga koncesioni.

Por kontrata e fundit e OSHIS ngre pikërisht pyetjen nëse ky ndryshim është real apo thjesht institucional.

Sepse nëse shteti krijon një kompani publike për të marrë në dorë një shërbim të dhënë më parë me koncesion, por më pas miliona euro vazhdojnë të kontraktohen te kompani private të lidhura me historinë e të njëjtit koncesion, atëherë “shtetëzimi” rrezikon të mbetet vetëm ndryshim logoje.

Në fund, tabela në derë mund të ketë ndryshuar nga privat në shtetëror. Por kur ndiqet rruga e parave, gjurmët të çojnë sërish te emra të njohur.

Sepse shtetëzimi nuk matet me faktin se kush e ka vulën e institucionit. Matet me mënyrën se si menaxhohen paratë publike. Dhe nëse paratë vazhdojnë të rrjedhin drejt të njëjtit rreth përfituesish, atëherë koncesioni mund të ketë përfunduar juridikisht, por hija e tij duket se vazhdon të qëndrojë mbi sterilizimin./vna