“Ishte ajo që përpiqej ta mbante atë në sipërfaqe, ndërsa makina po fundosej”. Kjo është pamja që Roberto Galanti ka para syve kur kujton ato momente. Të mërkurën, së bashku me mikun Gian Pietro Tonti, ai nuk hezitoi të hidhej në portin e Cattolica-s në Itali pasi pa një Golf të përfundonte në ujë me një grua dhe partnerin e saj brenda.
Ismail Picari, 45-vjeçari shqiptar, e kishte futur qëllimisht makinën në ujërat e portit të Cattolica-s, me gruan ende brenda.
Golf-i kishte përfunduar në ujë në hyrje të dokut, në një pikë ku thellësia ishte 3 metra. Dy peshkatarë u hodhën në ujë për t’i ndihmuar burrin dhe gruan.
Intervistë me peshkatarët që shpëtuan gruan dhe burrin
Roberto dhe Gian Pietro, të dy peshkatarë, kanë pas vetes një përvojë të gjatë në det, e cila në ato minuta të trazuara u tregua shumë e vlefshme. Fillimisht për të arritur te të dy në ujë, pastaj për t’i kthyer në bregun e portit.
“Ishim në një bar aty pranë dhe papritur dëgjuam një zhurmë të fortë, të mbytur”, kujton ai. “Pamë njerëzit në breg duke vrapuar sa andej-këndej, shumë prej tyre me telefonat në dorë. Ishin të alarmuar. Kuptuam se kishte ndodhur diçka.”
Kur mbërritët, çfarë skene ju doli përpara?
“Të dy kishin dalë tashmë mbi sipërfaqen e ujit. Kishin arritur të dilnin nga kabina e makinës, por situata ishte dramatike. Ajo ishte plotësisht në panik dhe bërtiste, ndërsa ai ishte në vështirësi të dukshme, dukej sikur nuk dinte të notonte. Ishte ajo që, me shumë vështirësi, po e mbante atë në sipërfaqe.”
Në atë moment u hodhët në ujë bashkë me mikun tuaj.
“Nuk humbëm kohë.”
A ishte burri i vetëdijshëm?
“Po, por nuk foli asnjëherë. I kishte sytë të zgurdulluar, dukej plotësisht i tronditur, pothuajse në trans. Ajo vazhdonte të bërtiste, ndërsa ai nuk reagonte.”
Pastaj ai iku.
“Sapo arriti në breg, u ngjit dhe më pas iku me vrap. Në ujë kapej pas çdo gjëje që mund t’i shërbente si mbështetje, edhe sepse e kishte të vështirë të qëndronte në sipërfaqe; ndërsa sapo doli në tokë, vrapoi.”
Po gruaja?
“Për të kërkuam një litar nga njerëzit që ishin në breg. E lidhëm me të, e tërhoqëm nga lart dhe e shtynim nga poshtë; kështu arritëm ta nxirrnim lart.”
Si mendoni se arritën të dilnin nga makina?
“Unë besoj se i kishin xhamat e ulur dhe arritën të dilnin para se makina të fundosej plotësisht.”
Ju keni një të kaluar si zhytës, vepruat instinktivisht?
“Më erdhi natyrshëm të ndërhyja kur i pashë në atë gjendje. Nuk bëra asgjë të jashtëzakonshme. E rëndësishme është që dolën shëndoshë e mirë.”







