Ballina Aktualitet Akuza për plaçkitje/ Klani i Aeroportit të Vlorës përleshet edhe në gjykatat...

Akuza për plaçkitje/ Klani i Aeroportit të Vlorës përleshet edhe në gjykatat e Abu Dhabit

88
0

Klani i skandalit  të Aeroportit të Vlorës vazhdon të përleshet publikisht me akuza të ndërsjellta për vjedhje dhe plaçkitje ndaj njëri tjetrit. Behgjet Pacolli ka akuzuar sërish ish krahun e djathtë, Valon Lluka, për abuzim dhe keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që drejtonte disa nga kompanitë e tij.

Biznesmeni nga Kosova ka bërë publik një vendim të gjykatës së Abu Dabit, e cila sipas tij ka urdhëruar Llukën që t’i kthejë 1.7 milionë euro të vjedhura kompanisë Mabetex.

“Në vitin 2025 ky Valon Lluka, nga kompanitë e Grupit Mabetex kishte bërë pagesa prej rreth 1.600.000 eurosh në kompaninë Alhami në Abu Dhabi, mbi bazën e faturave për shërbime që nuk kishin ndodhur. Gjykata në Abu Dhabi mbasi verifikoi së Valon Lluka kishte bërë pagesa me faktura fiktive, ne fillim të Gushtit 2026 shpalli Aktvendimin dënues duke urdhëruar kthimin e këtyre mjeteve në favor të Grupit Mabetex,” shkroi Pacolli në profilin e tij në facebook duke publikuar dhe një foto nga vendimi i gjykatës në arabisht.

Akuza për plaçkitje/ Klani i Aeroportit të Vlorës

Por pas këtyre akuzave ka qenë i menjëhershëm reagimi i Valon Llukës, i cili e ka quajtur Pacollin mashtrues. Sipas Llukës, padi ndaj tij është rrëzuar plotësisht nga gjykata

Mbrëmë, Behgjet Pacolli publikoi një postim të pavërtetë dhe manipulues, duke pretenduar se një gjykatë në Abu Dhabi më ka urdhëruar mua, Valon Llukën, të kthej mjete të “përfituara në mënyrë të paligjshme”. Kjo është gënjeshtër. Vendimi gjyqësor thotë pikërisht të kundërtën. Padia ndaj meje personalisht është rrëzuar. Gjykata ka konstatuar se kam vepruar vetëm në cilësinë e drejtuesit të kompanisë dhe jo në emrin tim personal. Gjykata ka konstatuar se nuk kam lidhur personalisht kontratën, nuk kam pranuar asnjë shumë dhe se nuk është provuar as mashtrim, as tejkalim kompetencash dhe as përgjegjësi personale nga ana ime. Detyrimi financiar i është ngarkuar vetëm “Të Paditurit të Parë”, dhe jo mua, Valon Llukës,” shkroi Lluka.

Akuza për plaçkitje/ Klani i Aeroportit të Vlorës

Ai thotë se në procedurën gjyqësore ka qenë “I Padituri i Dytë”, ndërsa detyrimi financiar prej 1,748,680.61 eurosh, sipas tij, i është ngarkuar vetëm “Të Paditurit të Parë”.

“Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është manipulim i qëllimshëm i opinionit publik. Në vendim nuk ekziston asnjë konstatim gjyqësor se unë kam vjedhur, kam përfituar mjete në mënyrë të paligjshme, kam përdorur kontrata fiktive apo kam mashtruar punonjësit e kontabilitetit. Këto janë akuza të fabrikuara nga Behgjet Pacolli dhe jo konstatime të Gjykatës,” vijon Lluka.

Por reagimi i Llukës nuk kufizohet vetëm në kontestin gjyqësor.

Ai ka sfiduar edhe pretendimet e Pacollit se kishte qëndruar larg kompanisë dhe vendimmarrjes menaxheriale.

Lluka pretendon se posedon prova dhe dokumente të shumta që, sipas tij, dëshmojnë se Pacolli ka ndërmarrë personalisht veprime dhe ka marrë vendime i vetëm.

“Nuk mund të distancohet sot nga vendimmarrja vetëm atëherë kur i leverdis, ndërsa njëkohësisht të më ngarkojë mua me përgjegjësi përmes deklaratave të pavërteta”, ka shkruar Lluka.

Në reagimin e tij, ai i është referuar edhe marrëdhënies së gjatë profesionale me Pacollin dhe kompanitë e tij.

Pas 19 vitesh pune, përkushtimi dhe përgjegjësish të mëdha, Lluka thotë se sot po përballet me shpifje publike dhe me atë që e konsideron manipulim të një vendimi gjyqësor.

Pikërisht për këtë arsye, ai thotë se ka vendosur ta publikojë dokumentin, në mënyrë që publiku të mund ta lexojë dhe ta gjykojë vetë përmbajtjen e tij.

Mesazhin e tij për Pacollin e ka përmbledhur në dy fjali:“Dokumentet flasin vetë. Gënjeshtra nuk bëhet e vërtetë, sado herë që përsëritet.”

Përplasja, megjithatë, duket se mund të mos përfundojë vetëm me deklarata publike.-shkruan Kapitali.

Lluka ka paralajmëruar se për ato që i konsideron deklarata të pavërteta dhe dëmtim të qëllimshëm të reputacionit të tij, do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore përkatëse.