Është konfirmuar rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri. Pacienti i prekur është një 72-vjeçar nga Korça, i cili ndodhet aktualisht i izoluar në karantinë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr edhe mjekimin përkatës.
Sipas burimeve spitalore, i moshuari dyshohet se është pickuar nga mushkonja gjatë kohës që kalonte në lulishten e qytetit. Pasi ka shfaqur shqetësime shëndetësore, ai i është drejtuar spitalit ku analizat konfirmuan praninë e virusit. Deri më tani ky mbetet i vetmi rast i identifikuar, pasi testet e kryera te personat e tij të afërt kanë dalë negative. Ditën e nesërme një grup specialistësh pritet të kryejë dezinfektimin e plotë të zonës ku ka lëvizur i moshuari.
Ethet e Nilit transmetohen përmes pickimit të mushkonjave dhe nisin me simptoma të tilla si temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e të vjella, por që në raste të rënda mund të prekin trurin e të shfaqen me pasoja fatale. Për këtë arsye, epidemiologët nga Instituti i Shëndetit Publik kanë nisur verifikimet në të gjithë qarkun e Korçës për praninë e mushkonjës bartëse, ndërsa mjekëve të lagjeve u është kërkuar të raportojnë menjëherë çdo pacient me simptoma të ngjashme.







