Ballina Kulturë Pse vdiq kaq i ri Aleksandri i Madh?

Pse vdiq kaq i ri Aleksandri i Madh?

57
0

Kur Aleksandri i Madh vdiq në Babiloni në vitin 323 para Krishtit, sipas rrëfimeve historike, trupi i tij nuk shfaqi shenja dekompozimi për gjashtë ditë të plota.

Për grekët e lashtë, kjo dukej se konfirmonte atë që shumë prej tyre besonin për mbretin e ri maqedonas, dhe atë që vetë Aleksandri mendonte për veten: se nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një perëndi.

Vetëm 32 vjeç, ai kishte pushtuar një perandori që shtrihej nga Ballkani deri në Pakistanin e sotëm dhe po përgatitej për një tjetër pushtim kur u sëmur. Pas 12 ditësh vuajtjesh të tmerrshme, ai vdiq. Që atëherë, historianët kanë debatuar për shkakun e vdekjes së tij, duke propozuar gjithçka, nga malaria, tifoja dhe helmimi nga alkooli, deri te vrasja e organizuar nga një prej rivalëve të tij.

Teoritë për shkakun e vdekjes së Aleksandrit të Madh

Por një studiuese dhe mjeke që ushtron profesionin sugjeron një teori tjetër: Aleksandri mund të ketë vuajtur nga sindroma Guillain-Barré (GBS), një çrregullim neurologjik që mund t’i ketë shkaktuar vdekjen. Ajo argumenton gjithashtu se njerëzit mund të mos kenë vënë re menjëherë shenja dekompozimi në trup për një arsye fare të thjeshtë, sepse Aleksandri mund të mos kishte vdekur ende.

Siç shkroi dr. Katherine Hall, pedagoge e lartë në Shkollën e Mjekësisë Dunedin të Universitetit të Otagos në Zelandën e Re, në një artikull të botuar në vitin 2018 në The Ancient History Bulletin, shumica e teorive të tjera për vdekjen e Aleksandrit janë përqendruar te temperatura e lartë e trupit dhe dhimbjet e forta të barkut që ai përjetoi gjatë ditëve para vdekjes.

Por Hall vëren se gjatë sëmundjes Aleksandri kishte zhvilluar gjithashtu një “paralizë progresive, simetrike dhe ngjitëse”. Dhe megjithëse ishte shumë i sëmurë, ai vazhdoi të ishte composmentis, pra plotësisht i vetëdijshëm dhe në kontroll të aftësive të tij mendore, deri pak para vdekjes.

Hall argumenton se GBS, një çrregullim i rrallë, por serioz autoimun, në të cilin sistemi imunitar sulmon qelizat e shëndetshme të sistemit nervor, mund ta shpjegojë këtë kombinim simptomash më mirë se teoritë e tjera për vdekjen e Aleksandrit. Ajo beson se çrregullimi mund të jetë shkaktuar nga një infeksion me Campylo bakter pylori, një bakter i zakonshëm në atë kohë. Sipas Hall, Aleksandri ka të ngjarë të ketë pasur një variant të GBS-së që shkaktonte paralizë, por pa sjellë konfuzion mendor apo humbje të vetëdijes.

Vënia në pikëpyetje e momentit të vdekjes së Aleksandrit

Ndërsa historianët kanë spekuluar prej kohësh se çfarë e vrau saktësisht Aleksandrin, Hall sugjeron se ai mund të mos ketë vdekur në momentin kur njerëzit menduan se kishte vdekur.

ImageAjo argumenton se paraliza që sa vinte e përkeqësohej, së bashku me faktin se trupi i Aleksandrit kishte nevojë për gjithnjë e më pak oksigjen ndërsa funksionet e tij jetësore po shuheshin, do ta kishte bërë frymëmarrjen e tij gjithnjë e më pak të dukshme. Në lashtësi, mjekët mbështeteshin te prania ose mungesa e frymëmarrjes, dhe jo te pulsi, për të përcaktuar nëse një pacient ishte gjallë apo i vdekur. Për këtë arsye, Hall beson se Aleksandri mund të jetë shpallur gabimisht i vdekur para se të kishte vdekur vërtet.

“Doja të nxisja debate dhe diskutime të reja dhe, ndoshta, të rishkruaja librat e historisë duke argumentuar se vdekja e vërtetë e Aleksandrit ndodhi gjashtë ditë më vonë nga sa është pranuar deri tani”, tha Hall në një deklaratë të Universitetit të Otagos. “Vdekja e tij mund të jetë rasti më i famshëm i pseudo thanatos, ose diagnozës së rreme të vdekjes, i regjistruar ndonjëherë.”