Protesta e 86-të vijon në Tiranë, ndërsa qytetarët shprehin pakënaqësinë e tyre për situatën politike dhe sociale në vend.
Një prej protestuesve tha se janë të shumta arsyet që e kanë sjellë në protestë, duke renditur problematikat që, sipas tij, prekin qytetarët në të gjithë vendin.
“Janë 101 mijë arsye që na sjellin në protestë. Nuk ka asnjë të drejtë të shqiptarëve. Janë rrënuar rrethet dhe fshatrat, janë mbyllur shkolla e spitale”, u shpreh qytetari.
Ai kritikoi gjithashtu situatën në vend, duke deklaruar se qytetarët përballen me pasiguri dhe probleme të shumta.
“Këtu është të ikësh natën në terr e jo ditën. Është ku thërret kiameti. Të dyja partitë janë bashkë, ky është një krim”, tha ai.
Protestuesi bëri thirrje për organizim dhe vijimin e qëndresës, duke përdorur edhe një mesazh të fortë politik.
“Nëse nuk bëhet një organizim, t’i ‘zhdukim’ këta, turp të kemi. O sot, o kurrë. Tiranën e ka mbytur droga dhe krimi”, deklaroi qytetari.
Protesta vijon prej 86 ditësh, me pjesëmarrësit që kërkojnë ndryshime politike dhe adresimin e problematikave që, sipas tyre, kanë prekur vendin.







