Nga larg, tundra e Alaskës veriore mund të duket si një hapësirë e pafund, e ftohtë dhe pothuajse pa bimësi.Por kur studiuesit ulen pranë tokës, zbulojnë një ekosistem shumë më kompleks.
Shkencëtarët që punojnë në North Slope të Alaskës e përshkruajnë tundrën si një lloj “xhungle miniaturë”, ku bimët, myshqet dhe shkurret krijojnë një botë të dendur që arrin vetëm rreth 25 centimetra lartësi. Ky peizazh i vogël, megjithatë, po ndryshon me shpejtësi.
Sipas Associated Press, temperaturat në këtë pjesë të Arktikut janë rreth 2.7 gradë Celsius më të larta se 40 vjet më parë. Ngrohja po u krijon mundësi shkurreve më të mëdha dhe bimëve të reja të zgjerojnë territorin drejt veriut.
Fenomeni njihet nga studiuesit si “shrubification”, pra shtimi dhe rritja e shkurreve në një territor që historikisht dominohej nga bimësi shumë e ulët.
Ndryshimi mund të duket pozitiv në pamje të parë: më shumë bimësi do të thotë potencialisht më shumë dioksid karboni i kapur nga atmosfera.Por situata është shumë më komplekse.
Bimët më të larta dhe më të errëta thithin më shumë energji nga Dielli. Ato gjithashtu mbajnë më shumë dëborë gjatë dimrit, duke krijuar një shtresë izoluese mbi tokën e ngrirë.Kjo mund të përshpejtojë shkrirjen e permafrostit, tokës që ka mbetur e ngrirë për mijëra vjet.
Kur permafrosti shkrihet, mund të çlirojë në atmosferë karbon dhe metan që kanë qenë të bllokuara në tokë për periudha shumë të gjata, duke ushqyer më tej ngrohjen globale.
Studiuesit në Toolik Field Station po analizojnë jo vetëm mënyrën se si ndryshojnë bimët, por edhe marrëdhëniet mes tyre. Një nga objektet e studimit është një bimë parazitare e Arktikut që, megjithëse merr ushqim nga bimët e tjera, mund t’i ndihmojë ato duke tërhequr insekte pjalmuese.
Kjo “xhungël” vetëm 25 centimetra e lartë po shndërrohet kështu në një laborator natyror për të kuptuar se si ekosistemet do të reagojnë ndaj një planeti gjithnjë e më të ngrohtë.







