Për tetë muaj me radhë, Policia e Shtetit nuk e preku Ergys Agasin, megjithëse ai nuk ishte një i kërkuar i zakonshëm që fshihej në shpella apo male. Bëhej fjalë për njeriun që prej vitesh përshkruhej si “eminenca gri” e Edi Ramës, një figurë pa post publik dhe pa firmë zyrtare, por me ndikim real në prapaskenën ku takohen ministrat, tenderat dhe pushteti informal.
Pas urdhrit për ndalimin e tij, Agasi dyshohet se lëvizte pikërisht në afërsi të zonave ku më në fund u arrestua, por për muaj të tërë askush nuk pati guximin ta ndalonte. Kur dosja e SPAK për AKSHI-n e vendosi në qendër të dyshimeve për manipulimin e tenderave të teknologjisë shtetërore, ndërhyrjen në prokurime dhe pastrimin e parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, heshtja e policisë nuk dukej më si paaftësi. Dukej si zgjedhje.
Adresa e tij nuk ishte sekret. Emri i tij qarkullonte çdo ditë. Rëndësia politike dhe penale e çështjes ishte publike. Burime të ndryshme thonë se gjatë gjithë kësaj kohe ai ndodhej pikërisht në zonën ku u arrestua më në fund. Kjo e bën vonesën të pashpjegueshme me “kërkime”, “vështirësi operacionale” apo formulat e zakonshme të komunikatave zyrtare. E shpjegon vetëm mungesa e vullnetit për ta prekur.
Pikërisht për këtë arsye, videot e djeshme të Agasit me pranga dhe festa triumfale e policisë duken kaq cinike. E njëjta polici që për tetë muaj nuk prodhoi asnjë rezultat, doli papritur me zell për të shpallur kapjen, sikur tetë muajt e mëparshëm të mos kishin ekzistuar dhe sikur një detyrë e bërë me kaq vonesë të meritonte duartrokitje.
Prandaj pyetja nuk është më pse u arrestua Agasi dje. Pyetja është kush e mbajti pa e prekur për tetë muaj. Kush i dha kohë të lëvizte, të sistemonte dhe të përgatitej? Dhe pse pikërisht dje iu kujtua policisë adresa që dukej se e dinte kushdo që interesohej?
Prangat e djeshme nuk pastrojnë tetë muajt e heshtjes. Përkundrazi, i bëjnë më të zhurmshëm. Sa më i madh triumfalizmi i ditës së kapjes, aq më e rëndë bëhet akuza për gjithçka që nuk u bë më parë./vna







