Ballina Bota Arrestohet në Kolumbi një nga figurat kryesore të Tren de Aragua

Arrestohet në Kolumbi një nga figurat kryesore të Tren de Aragua

42
0

Forcat kolumbiane të sigurisë kanë arrestuar në Bogota Luis Saúl Pérez Nieton, i njohur me nofkën “Paez” ose “Nairobi”, i dyshuar si një nga figurat kryesore të organizatës kriminale Tren de Aragua.

Presidenti kolumbian Abelardo De la Espriella tha se arrestimi dërgon një mesazh të qartë ndaj grupeve kriminale transnacionale.

“Kolumbia nuk do të jetë strehë e sigurt për kriminelët. Ne do t’i ndjekim, do t’i arrestojmë dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë”.
Sipas autoriteteve, Pérez Nieto dyshohet se ka koordinuar zhvatje, trafik ndërkombëtar armësh, vrasje të synuara dhe trafik droge përgjatë disa prej rrugëve kryesore të Amerikës Jugore dhe Qendrore. Ai raportohet se kërkohej edhe nga autoritetet amerikane.

Presidenti kolumbian e përshkroi të arrestuarin si një person të afërt me Nino Guerreron, ish-udhëheqësin e Tren de Aragua, i cili, sipas deklaratës së tij, u vra në një sulm ushtarak amerikan në qershor.

Tren de Aragua, me origjinë nga Venezuela, është përfshirë në aktivitete kriminale si trafiku i drogës, zhvatja dhe trafikimi i qenieve njerëzore, ndërsa aktiviteti i saj është shtrirë në disa vende të Amerikës Latine dhe në SHBA.

Arrestimi vjen në kuadër të politikës së ashpër të sigurisë së presidentit De la Espriella, i cili ka premtuar goditje më të forta ndaj karteleve dhe grupeve të armatosura dhe ka deklaruar se këto organizata do të trajtohen si grupe terroriste.