Ballina Ekonomia Banka e Shqipërisë përmbyt tregun me cash, paraja jashtë bankave arrin në...

Banka e Shqipërisë përmbyt tregun me cash, paraja jashtë bankave arrin në 5.6 miliardë euro

52
0

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti shifrën 522.5 miliardë lekë në muajin korrik, çka përbën rekordin historik të të gjitha kohërave.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se Shqipëria është duke u përmbytur nga një valë e papreçedentë cash-i në ekonomi, e cila përveç trendit natyral që dikton informaliteti i lartë, po kushtëzohet edhe nga një faktor tjetër; ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.

Fushata agresive e blerjes së eurove nga Banka e Shqipërisë për të ndalur dobësimin e monedhës europiane ndaj lekut është duke rritur në mënyrë anormale jo vetëm ofertën monetare të vendit, por edhe sasinë e parave që qarkullojnë jashtë bankave.

Përgjatë dy viteve të fundit Banka e Shqipërisë ka blerë gati 2 miliardë euro, ndërkohë që për këtë vit shifra e blerjeve pritet të jetë dukshëm mbi rekordin e vitit të kaluar.

Kur BSH ble euro nga tregu, ajo injekton lek në sistem. Vetëm përmes operacioneve për blerjen e valutës, BSH ka pompuar mbi 200 miliardë lekë në treg gjatë viteve 2024-2025.

Të dhënat historike tregojnë se nga kjo shumë parash përgjithësisht 80 për qind qëndrojnë si depozita në sistem, ndërsa 20 për qind dalin si cash jashtë bankave.

Nëse këtyre u shtohet edhe shifra e blerë gjatë këtij viti, atëherë mbi 60 miliardë lekë cash jashtë bankave janë rezultat i drejtëpërdrejtë rezultat i politikës së BSH.

Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, baza monetare e vendit u rrit me 17.3 për qind në terma vjetor, paraja jashtë bankave u rrit me 16 për qind, ndërsa agregati M2 është rritur me 16.7 për qind. Të gjitha në ritme dyshifrore.

Banka e Shqipërisë e ka argumentuar blerjen agresive të eurove për të ndalur dobësimin e monedhës europiane ndaj lekut. Por blerjet agresive të valutës tashmë janë duke materializuar ato që quhen efektet e padëshirueshme.

Së pari, përmbytja e tregut me lekë si pasojë e blerjes së eurove po dëmton objektivin për reduktimin e informalitetit. Së dyti, rritja e bazës monetare është duke ushqyer shtrenjtimin e çmimeve ose rritjen e inflacionit, i cili aktualisht ndodhet mbi objektivin 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.