I ftuar në nje interviste televizive, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u shpreh se arrestimi i Ergys Agasit është pjesë e një përplasjeje të brendshme mes klaneve të Partisë Socialiste dhe jo një sukses i institucioneve ligjzbatuese.
Këlliçi deklaroi se prej muajsh Agasi ishte në kërkim, ndërsa lëvizte i lirë në Shqipëri dhe arrestimi i tij në shoqërinë e një ish-zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit tregon lidhjet e forta mes krimit dhe strukturave shtetërore.
Këlliçi theksoi se në këtë përplasje aktualisht në epërsi është grupimi i Belinda Ballukut, ndërsa arrestimi i Agasit, që ai e cilëson si një prej njerëzve më të afërt të Edi Ramës, është një goditje direkte ndaj kryeministrit.
Këlliçi e lidhi arrestimin me zhvillimet e pritshme në qeveri dhe me presionin që po përballet Belinda Balluku nga drejtësia.
Ai deklaroi se fakti që Agasi u arrestua në ditën kur Edi Rama ndodhej jashtë vendit nuk është rastësi dhe se lëvizja duhet lexuar si një mesazh i Ballukut ndaj kryeministrit për të mos prekur njerëzit dhe pushtetin e saj në qeveri.
“Nëse Balluku shkon në burg, do të marrë me vete Edi Ramën”, deklaroi Këlliçi, duke pretenduar se si Agasi, ashtu edhe Balluku kanë dijeni për çështje që mund të ekspozojnë kryeministrin.
Deputeti demokrat tha se Agasi mund të flasë për marrëdhëniet e qeverisë me krimin e organizuar, ndërsa Balluku për aferat korruptive të qeverisë.
Për Këlliçin, arrestimi i Agasit është kësisoj një lëvizje brenda mazhorancës për të sakrifikuar një prej figurave të saj dhe për të fituar kohë përballë drejtësisë dhe presionit politik.
Pjesë nga intervista:
Atëherë, e di domethënë gjatë orëve më përpara është një nga seancat më të gjata për përcaktimin e një mase sigurie, kuptohet nën trysninë e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të Edi Ramës për këtë që i ka ndodhur.
Kjo që ka ndodhur me Ergys Agasin në fakt nuk është gjë tjetër veçse larja e hesapeve brenda organizatës kriminale që është sot Rilindja dhe është sot qeverisja shqiptare.
Unë e kam konsideruar nga momenti i parë dhe mos gaboj mund të jem zyrtari i parë që kam reaguar në momentin e parë të arrestimit të Ergys Agasit, e kam konsideruar një përplasje klanesh, një luftë bandash brenda PS-së, ku për momentin në epërsi rezulton të jetë banda e Ballukut.
Në vijim, në vijim për qytetarët që na ndjekin dhe për shikuesit, në vijim të goditjes së kryetarit të Bashkisë Tiranë në mënyrë permanente nga banda e Ballukut, me bekimin e Edi Ramës, kësaj radhe pikërisht në ditën kur Edi Rama nuk ndodhej në Shqipëri, dhe këto janë detaje që ne duhet t’i bëjmë publike për qytetarët, pra është një detaj i ri i papublikuar deri më tani.
Në ditën që ka ndodhur në fakt arrestimi i Ergys Agasit, të gjithë raportimet janë dhe të gjitha informacionet të çojnë në faktin që Edi Rama nuk ndodhej në Shqipëri.
Kjo vjen pikërisht në momentin kur edhe ditën e sotme, pak minuta më vonë, një orë më vonë në fakt, do të kemi një mbledhje të kabinetit të Rama 4, ku pritet të vendoset edhe fati i një sërë ministrash, por ata që janë më të ekspozuarit për t’u bërë kurban i Ramës dhe për t’u shkarkuar dhe për t’u goditur janë gjysma e ministrave që janë të vendosur personalisht nga Belinda Balluku.
Dhe duke qenë se Balluku është para një situate ku i rrezikohet pushteti i saj në ekzekutiv, duke qenë se ka burime shumë të mirëinformuara dhe të besueshme që flasin për një zyrtarizim të masës së dytë të sigurisë për imunitetin e Belinda Ballukut, me sa duket kjo ka qenë lëvizja e radhës e Ballukut për t’i dhënë një mesazh të qartë Edi Ramës që ajo nëse do të shkojë në burg dhe nëse do të shkojë në tapet do të marrë me vete Edi Ramën.
Unë e kam thënë që ky është një paralajmërim për Edi Ramën, pra goditja e Ergys Agasit që në fakt ishte zëvendëskryeministri i radhës që rrëzohet nga qeveria, sepse ishte një jo vetëm eminencë gri, por personi më i punësuar i Edi Ramës në raport me krimin e organizuar dhe me bandat e ndryshme në vend, është një paralajmërim për Edi Ramën për të mos cënuar pushtetin e Ballukut dhe për të mos prekur interesat e saj në qeveri.
Jo, ky është një mesazh i qartë i Ballukut për të gjithë sistemin gjyqësor në vend, por edhe për Prokurorinë e Posaçme se kush e bën ligjin në vend.
Pra, në momentin që kanë dalë fjalët dhe ka informacione se pritet zyrtarizimi i masës së dytë i kërkesës së dytë për imunitetin e Belinda Ballukut, dhe në momentin që flitet largimi i të besuarve të saj nga kabineti, sigurisht lëvizja e saj është e kalkuluar mjaft mirë për të dhënë një mesazh të qartë në gjyqësor, në polici, në prokurori dhe të gjithë faktorëve të ndryshëm ligjzbatues në vend se kush e bën ligjin në Shqipëri sot.
Dhe në momentin që arrihet të arrestohet me urdhër të saj njeriu më besnik dhe më i afërt i kryeministrit të Shqipërisë, ditën kur kryeministri i Shqipërisë largohet nga vendi, pra në një ditë të vetme që ai s’ka qenë në Shqipëri, kjo tregon se ajo ka dhënë një mesazh të qartë se me të nuk mund të bëhet.
Nuk rrezikohet Rama, është një mesazh i qartë. Shiko Belindën… unë jua kam bërë të qartë disa herë, kemi qenë bashkë në studio dhe e kam thënë, si Ergys Agasi dhe si Belinda Balluku kanë mbijetuar deri në këtë moment për shkak edhe të presionit që ato kanë ushtruar mbi kryeministrin, përmbi të gjitha për shkak se kanë qenë personat punëmbaruar të kryeministrit për të gjithë punët e pista.
Njëri për krimin e organizuar, Ergys Agasi, koordinatori për krimin, dhe koordinatorja kombëtare për korrupsionin, Belinda Balluku, ka ekzekutuar të gjitha aferat korruptive të kryeministrit. Kjo ka qenë një përplasje, pra ka qenë një përplasje mes dy klaneve të ndryshme në PS, thjesht për të blerë më shumë kohë për veten dhe për të shtyrë agoninë e tyre.
Dhe në këtë rast rezulton që bie Agasi dhe ngrihet Balluku, për shkak se do të duhet që edhe opinionit publik, por edhe agjencive ligjzbatuese të huaja, t’i jepet një kockë e radhës nga mazhoranca, le të themi, për ta quajtur si një sukses të goditjes së krimit të organizuar dhe ndërkohë të blihet më shumë kohë. Në këtë rast, Rama sigurisht që është i ekspozuar dhe i rrezikuar nga të dy.
Se mjafton që Ergys Agasi të hapë gojën dhe të tregojë të vërtetën dhe të tregojë të gjitha porositë që ka marrë nga kryeministri qoftë për marrëdhëniet me krimin, qoftë për statuset e investitorit strategjik që u janë dhënë bandave më të ndryshme dhe të rrezikshme në vend duke nisur nga Troplinat e me radhë, qoftë për trafikun e drogës që ndodh në portin e Durrësit me bekimin e plotë të kryeministrit të qeverisë shqiptare.
Dhe ju e dini është fakt tashmë publik që në portin e Durrësit në pesë vite nuk është sekuestruar as edhe një gram kokainë. Kjo është fakt publik. Edhe nga Europoli dhe nga Eurojusti dhe nga të gjitha institucionet ligjzbatuese të huaja. Edhe nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kështu që qoftë Belinda Balluku nga ana tjetër mund të hapë gojën për një sërë aferash korruptive dhe të tregojë porositë e Edi Ramës qoftë për tunelin e Llogarasë, qoftë për aeroportin e Vlorës, qoftë për afera korruptive të tjera, sigurisht Edi Rama shkon në burg.
Por kjo është vetëm një manovër në mënyrë që njëri prej faktorëve dhe aktorëve të organizatës të blejë më shumë kohë. Që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë e ka mbyllur kapitullin, që Edi Rama ka mbaruar dhe është në fund, këtë tashmë e di çdo qytetar shqiptar.







