Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, pasi dyshohet se tentoi të kontrabandonte në Shqipëri një sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim shitjen në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe të fokusuara në parandalimin e paligjshmërive në kufi, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin G. M.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre.
Sipas policisë, 36-vjeçari dyshohet se synonte t’i fuste kontrabandë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., 36 vjeç, banues në Prishtinë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose kufizuara”.







