Ballina Aktualitet SPAK nis hetimet ndaj Ami Kozelit për farsën 50 milionë euro të...

SPAK nis hetimet ndaj Ami Kozelit për farsën 50 milionë euro të mirëmbajtjes së rrugëve

75
0

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për një aferë të dyshuar korruptive në tenderin 50 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale. Nisja e hetimeve vjen pas një investigimi të Kapitalit, që faktoi se ARRSH kishte kualifikuar një kompani me letra false në njëri nga katër lotet e tenderit.

Bëhej fjalë për lotin 2, i cili kishte fond limit prej 1.1 miliardë lekësh ose rreth 12 milionë euro. (Lexo këtu investigimin e Kapitalit).

Kapitali ka mësuar se pak ditë më parë, SPAK ka nisur shkresë zyrtare në ARRSH, ku i kërkon këtij institucioni informacion dhe vënien në dispozicion të dokumentacionit për proçedurën në fjalë të prokurimit.

Fillimisht ky tender u kallëzua në prokurorinë e Tiranës. Por burimet i thanë Kapitalit se tashmë ka hyrë në lojë SPAK, në atë që dyshohet si farsa 50 milionë euro e mirëmbajtjes së rrugëve.

Nuk dihet nëse SPAK do t’i shtrijë hetimet edhe tek Komisioni i Prokurimeve Publike. Kjo pasi, veprimet e paligjshme të ARSH, e cila kualifikoi kompaninë Bami me letra false, u çertifikuan edhe nga KPP përmes një vendimi skandaloz.