Ballina Opinion Në republikën e Besës ku askush nuk i beson më askujt

Në republikën e Besës ku askush nuk i beson më askujt

73
0

Nga Desada Metaj

Arrestimi i Ergys Agasit duket të jetë i vetmi ndryshim real në kabinetin qeveritar të Edi Ramës.

Pasi i mbajti për dy javë me radhë deputetët dhe ministrat në ankth, me takime nëpër Shqipëri dhe me pritjen e gjatë të “furtunës” në qeveri, kryeministri shpalli sot se ndryshime të tjera nuk do të ketë.

Pas një fjalimi të gjatë, pa një vendim të ri politik, por me gjithë dekorin gjuhësor të realizmit socialist, ministrat e Edi Ramës morën frymë thellë.

Pastaj nisi puna më e vështirë: të kuptonin se çfarë do të thoshin saktësisht Besa, prania besnike, Pasqyra dhe gjithë fjalori i ri me të cilin kryeministri vendosi t’i mbajë të lidhur pas vetes.

Me gjasë, më i moçmi mes tyre, Fatmir Xhafaj, mund t’ua ketë shpjeguar me një fjalë: Fronti Popullor.

Për të lindurit pas viteve ’80, vlen të kujtohet se fronti në lagje, qytete e fshatra ishte ajo njësi ku mblidheshin sekretarët e partisë dhe populli. Aty “qaheshin hallet”, por mbi të gjitha aty kontrollohej fryma. Kush ishte në vijë, kush kishte devijuar, kush duhej qortuar dhe kush duhej sjellë sërish në rresht.

Pak a shumë kjo ishte edhe detyra që Rama u la sot deputetëve dhe ministrave të tij. Jo qeverisje në kuptimin klasik të fjalës, por prani. Jo përgjegjësi politike, por besnikëri. Jo debat, por pasqyrë ku secili duhet të shohë fytyrën që i lejon partia.

Me gjasë, shumë prej tyre as nuk e kanë kuptuar ende. Do t’u duhet ta mësojnë në ditët në vazhdim, sidomos ata që shpëtuan nga vala e ndryshimeve të paralajmëruara dhe tani duhet të provojnë se e meritojnë shpëtimin.

Në mbledhjen e sotme, edhe më i paafti mes deputetëve, në një grup parlamentar që prej kohësh është nën nivelin mesatar të shqiptarit normal, nuk e kishte mendjen as te Besa, as te Pasqyra.

Ndërsa prisnin fundin e fjalimit, ata bënin llogaritë e rastit. Sa sy nga Belinda Balluku dhe garda e saj e ministrave, sa nga Fatmir Xhafaj, sa nga të tjerët që tashmë, bashkë me Erion Veliajn, po lëvizin fijet në Bashkinë e Tiranës.

Sepse përtej fjalorit të madh për moralin politik, mandatin e katërt dhe Shqipërinë europiane, PS-ja sot po jeton me llogari shumë më të vogla dhe shumë më konkrete: kush kontrollon cilën zyrë, kush mban cilën firmë, kush ka akses te kryeministri dhe kush mund të digjet i pari kur drejtësia të kërkojë “kokën” e radhës.

Dhe për këtë faktet nuk mungojnë. Flaka e luftës mes Veliajt dhe Ballukut, së cilës Edi Rama i hodhi kova me ujë gjatë muajve të fundit, duket se ka marrë një shkëndijë të re. Veliaj po largon njerëzit e Ballukut nga bashkia dhe po përpiqet të rimarrë kompetencat, me shpresën se më 15 shtator do të mund ta drejtojë Bashkinë jo më nga qelitë e paraburgimit të Durrësit.

Por edhe vetë Belinda Balluku duket se nuk i ka mbyllur ende hesapet me drejtësinë. Dhe këtu nis pjesa e pazëshme, por më e vërtetë e fjalimit të Edi Ramës. Sepse në PS, besnikëria nuk është më garanci. Afërsia me pushtetin nuk është më mburojë. Ata që deri dje dukeshin si zgjatime të drejtpërdrejta të kryeministrit, sot janë kthyer në dosje të hapura, në emra që rrezikojnë jo vetëm karrigen nga ajo që mund të dalë nesër nga SPAK.

Prandaj Rama nuk ka më shumë çfarë t’u thotë të vetëve. Ai mund t’u flasë për Besën, për Pasqyrën, për praninë besnike dhe për qytetarin, por të gjithë e dinë se problemi i vërtetë nuk është më disiplina e partisë. Problemi është drejtësia.

Edhe pse u mundua t’i bënte elozhe Prokurorisë së Posaçme dhe të kritikonte KLP-në dhe KLGJ-në për pagat, Edi Rama e di mirë se konflikti për pagat është një çështje banale që zgjidhet lehtësisht.

E vetmja arsye pse ai po e mban zvarrë është e njohur: Rama di të fryjë një konflikt të vogël për të errësuar një skandal të madh. Ose një skandal që po ndodh. Ose një tjetër që pritet të ndodhë.

Me një opozitë të dështuar dhe me një protestë që po gërryen veten, SPAK mbetet i vetmi problem real i Edi Ramës. Jo vetëm sepse i ka hapur telashe Belës, Lalit dhe Gysit, por sepse në atë institucion mund të jetë edhe kokëçarja e tij e ardhshme.

Deri atëherë, deputetët dhe ministrat nuk do të merren as me Besën, as me Pasqyrën. Do të merren me atë që dinë të bëjnë më mirë: të nuhasin kahun e pushtetit, të rreshtohen para se t’u kërkohet dhe të ndërrojnë aleancë para se të bjerë zilja nga SPAK.

Në fund, pamja më e vërtetë e ditës nuk ishte te fjalimi, por te komentet. Udhëheqësi fliste për Besën, ndërsa dora besnike e pushtetit fshinte qytetarët që e morën seriozisht ftesën për dialog.

Kaq mbeti nga republika e Besës: Rama para pasqyrës së tij,stafi pas ekranit duke fshirë pasqyrën dhe qytetari i shkretë që ende beson se diku në qeveri mund të ketë edhe Besë.