Partia Demokratike përsëriti kërkesën e disa banorëve të Durrësit për pezullimin dhe shfuqizimin e projektit TID. Sekretarja e marrëdhënieve me publikun Viola Kapidani foli për mbivendosje pronash, ndërsa bëri thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Deklarata e plotë:
Si qytetare e Durrësit , kam ndjekur me vëmendje situatën e krijuar nga projekti TID dhe betejën e banorëve për mbrojtjen e pronave, banesave dhe bizneseve të tyre.
Sot dua ta shpreh qëndrimin tim:
Jam në mbështetje të plotë të kërkesës së banorëve për pezullimin e menjëhershëm të projektit TID Durrës, ndalimin e procedurave të prishjes dhe shpronësimit dhe nisjen e procedurave institucionale për shfuqizimin de jure të këtij projekti.
Në këtë betejë qytetare, banorët nuk kanë qenë vetëm. Partia Demokratike ka qenë vazhdimisht në mbështetje të tyre, të së drejtës së pronës dhe kërkesës për transparencë dhe ligjshmëri.
Më 1 shtator, përfaqësues të banorëve dorëzuan pranë Bashkisë Durrës një dokument prej 15 faqesh, të firmosur nga 65 qytetarë, ku kërkojnë zyrtarisht pezullimin e projektit dhe nisjen e procedurave për shfuqizimin e tij.
Sot kemi edhe një realitet të ri juridik dhe urbanistik, të cilin Bashkia Durrës nuk mund ta anashkalojë.
Shfuqizimi i vendimit për Zonën e Re për Zhvillim dhe i kuadrit planifikues të lidhur me të ka ndryshuar situatën e një pjese të territorit ku ndërhyn edhe projekti TID.
Nga krahasimi i hartës së TID Durrës me territorin e planit tashmë të shfuqizuar rezulton një mbivendosje konkrete:
Nga 74 prona – ndërtesa dhe troje – të parashikuara për shpronësim në kuadër të TID Durrës, rreth 20 prona ndodhen në zonën e mbivendosur.
Duhet të jemi juridikisht korrektë: shfuqizimi i një instrumenti planifikimi nuk sjell automatikisht shfuqizimin juridik të TID Durrës.
Pikërisht për këtë arsye banorët kërkojnë shfuqizimin de jure të projektit. Dhe ne e mbështesim plotësisht këtë kërkesë.
Ndryshimi i statusit juridik dhe planifikues të territorit nuk mund të konsiderohet pa pasoja për një projekt që prek drejtpërdrejt pronat e qytetarëve.
Për më tepër, vetë Bashkia Durrës ka deklaruar se projekti është në proces rishikimi dhe vlerësimi.
Prandaj i drejtojmë Bashkisë Durrës pyetjen:
Çfarë projekti po vazhdon? Me cilën hartë, me cilin konfigurim, me cilën listë pronash dhe mbi cilën bazë ligjore?
Nëse projekti po rishikohet apo rikonfigurohet, qytetarët nuk mund të vazhdojnë të jetojnë nën pasigurinë e shpronësimit sikur gjithçka të ishte e pandryshuar dhe përfundimtare.
Pronat e tyre nuk janë thjesht numra në një hartë. Pas tyre janë familje, shtëpi, biznese dhe histori të lidhura me këtë qytet.
Prandaj i kërkojmë Bashkisë Durrës:
Të pezullojë projektin TID dhe çdo procedurë prishjeje apo shpronësimi që mund të krijojë pasoja të pakthyeshme.
Të bëjë publik statusin juridik të projektit dhe efektet e ndryshimeve të fundit mbi pronat e përfshira.
Dhe të nisë procedurat institucionale për shfuqizimin de jure të projektit TID Durrës, në përgjigje të kërkesës së banorëve.
Duam të theksojmë: të mbrosh pronën e qytetarëve nuk do të thotë të jesh kundër zhvillimit të Durrësit.
Ne duam vënien në vlerë të Amfiteatrit, mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe një qendër historike që të jetë krenaria e qytetit dhe një motor i zhvillimit ekonomik e turistik.
Qëndrimi ynë është i qartë: jemi në krah të banorëve dhe mbështesim kërkesën e tyre.
Në këtë qëndrim vazhdojmë atë që Partia Demokratike ka bërë gjatë gjithë kësaj beteje: të qëndrojmë në krah të qytetarëve dhe të së drejtës së tyre për të mbrojtur pronën.
Tani është përgjegjësia e Bashkisë Durrës dhe e institucioneve përkatëse që të mos e lënë këtë kërkesë pa përgjigje.
TID Durrës duhet të pezullohet dhe duhet të nisin procedurat për shfuqizimin e tij de jure.
Qytetarët kanë folur. Është koha që institucionet t’i dëgjojnë dhe të veprojnë.







