Ballina Aktualitet “Policia inskenoi aksident për të arrestuar Ergys Agasin” Klodiana Lala zbardh detajet:...

“Policia inskenoi aksident për të arrestuar Ergys Agasin” Klodiana Lala zbardh detajet: Policëve u tha “Ju s’më arrestoni dot mua!”

430
0

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Opinion”, ka dhënë detaje lidhur me operacionin që çoi në arrestimin e Ergys Agasit, duke deklaruar se ai ishte mbajtur nën vëzhgim për rreth dy javë përpara ndërhyrjes së autoriteteve.

Sipas Lalës, gjatë kësaj periudhe janë monitoruar bazat dhe banesat ku dyshohej se qëndronte Agasi, ndërsa policia dhe prokuroria kanë kryer përgjime dhe vëzhgime në distancë ndaj personave të përfshirë.

Gazetarja tregoi se një episod i rëndësishëm kishte ndodhur edhe më herët, kur përfaqësues të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kishin shkuar për të verifikuar “Equos Resort”. Aty, sipas saj, ishte konstatuar një automjet luksoz i shpallur në kërkim dhe për këtë arsye ishin njoftuar agjentët e BKH-së.

Lala tha se për automjetin ka pasur përplasje dhe debat të fortë dhe se mjeti është mbajtur më pas nën sekuestrim. Sipas informacioneve të saj, dyshohet se për këtë situatë ka reaguar edhe vetë Agasi.

Gazetarja deklaroi gjithashtu se pak ditë përpara arrestimit, Shpataraku kishte shkuar në një pikë me automjete me qera dhe kishte marrë makinën në të cilën ndodhej në momentin kur u arrestua.

Sipas Lalës, policia e ka konstatuar automjetin në Elbasan. Duke qenë se qyteti ka disa akse hyrëse dhe dalëse, autoritetet kanë ndjekur me kujdes lëvizjet e tij. Kur automjeti ka marrë drejtimin për nga Rrogozhina, duke ekzistuar edhe mundësia që të lëvizte në drejtim të Belshit, janë angazhuar patrullat policore për realizimin e ndërhyrjes. Lala tha se policia kishte shmangur vendosjen e patrullave në rrethrrotullime dhe kishte zgjedhur një tjetër mënyrë për ta detyruar automjetin të ulte shpejtësinë. Sipas saj, efektivët inskenuan një aksident rrugor, duke krijuar kushtet që makina të ngadalësonte dhe policia të ndërhynte.

Gazetarja deklaroi se gjatë arrestimit Agasi ka reaguar ashpër ndaj efektivëve, duke përdorur edhe fjalor të papërshtatshëm dhe fyes. Sipas saj, ai u është drejtuar policëve me fjalët: “Ju s’më arrestoni dot mua!”.

Lala foli gjithashtu për debate të Agasit me prokurorët, të cilët, sipas saj, ai i ka akuzuar se u japin informacione gazetarëve. Gazetarja tha se Agasi pretendon të kontrollojë mënyrën se si raportohet dhe narrativën publike rreth çështjeve që lidhen me të.

Në fund, Klodiana Lala ngriti pikëpyetje mbi personat me të cilët Ergys Agasi mund të jetë takuar gjatë periudhës kur mbahej nën vëzhgim.

“SPAK duhet të na thotë se kë ka takuar gjatë dy javëve që është mbajtur në vëzhgim”, ishte në thelb kërkesa e ngritur nga gazetarja, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm për të kuptuar të gjithë dinamikën e hetimit dhe të operacionit që përfundoi me arrestimin e tij.